E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia, fshatrat 6 ditë pa drita

 

PESHKOPI – Paraditen e djeshme u rikthyen reshjet e dëborës në rrethet e Qarkut të Dibrës, duke arritur deri në 30 cm. Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, ndërmarrjet e rrugëve nacionale nuk u gjetën në befasi. Drejtori i rrugëve nacionale, Durim Balla, pohoi se në kohë rekord mjetet dhe forcat e punës mundësuan hapjen e rrugës nacionale me dy kalime. Më e rëndë vazhdon të mbetet gjendja në komunat malore, rrugët e të cilave ende mbeten të bllokuara. Kritike paraqitet furnizimi me energji elektrike i konsumatorëve në këto rrethe. Në qytete ndërprerjet janë të vazhdueshme, ndërkohë në dhjetëra fshatra të Matit, Bulqizës e Dibrës ajo mungon që prej mesditës të së premtes. “Prej gjashtë ditësh, thanë banorët e fshatrave Gjalish, Baz, Komsi, Dars, Mallunxë, Kurdari, Martanesh, Kala e Dodës, Macukull, Gjocaj, etj., nuk jemi furnizuar me energji elektrike”. Gjendja bëhet më kritike kur mëson se as shtabet e emergjencave civile nuk interesohen për rikthimin e energjisë elektrike në fshatra. Shembja e shtyllave të tensionit të lartë, të mesëm dhe të ulët ka detyruar banorë të zonave rurale të ndërhyjnë privatisht në rrjetin elektrik, duke zëvendësuar kështu elektricistët dhe duke vënë në rrezik jetën e atyre që merren me riparimin e defekteve. Në fshatin Kujtim të komunës Suç banorët ankoheshin se në oborrin e shkollës fillore kishin rënë përtokë telat e korrentit dhe askush nuk merrte mundimin për riparimin e defektit. “Prej vitesh ankohemi se shtyllat elektrike janë të amortizuara dhe vënë në rrezik jetën e fëmijëve, - thonë banorët e Kujtimit, - por as OSSH-ja dhe as komuna nuk janë interesuar për zgjidhjen e këtij shqetësimi”. Burime jozyrtare sqarojnë se në rrethin e Matit janë dëmtuar mbi 30 shtylla elektrike dhe qindra metra linjë, ndërkohë nuk thuhet kur mund të riparohen defektet e ndodhura.           h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›