E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuza padi gjyqtares, pranimi i ankesës së Bashës jo kushtetues

 

TIRANE – Prokuroria e konsideron të pa bazuar në ligj dhe në Kushtetutë vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila e konsideroi kompetencë të saj shqyrtimin e padisë së bërë nga Ministri i Jashtëm Lulzim Basha. Organi i akuzës është duke përgatitur kërkesën që do të dorëzojë në gjykatë, me qëllim përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila mori vendimin në fjalë. Më 4 dhjetor 2008 në seancën e parë të zhvilluar për shqyrtimin e padisë së Bashës, që kërkoi pavlefshmëri absolute për ngritjen e akuzës nga prokuroria dhe thirrjen e tij si i pandehur, prokurori i dosjes “Durrës-Kukës”, kërkoi që Gjykata e kryeqytetit të shpallte moskompetencën. Me anë të një letre drejtuar gjykatës, prokuroria kërkoi që çështja të shqyrtohej në Gjykatën e Lartë, për shkak se personi për të cilin bëhej fjalë ka cilësi të veçanta për shkak të imunitetit. Një kërkesë e tillë e akuzës u hodh poshtë nga gjyqtarja e çështjes Fatmira Hajdari, e cila e gjeti Gjykatën e Tiranës kompetente duke rrëzuar kërkesën e prokurorisë. Përfaqësuesi i akuzës kërkoi menjëherë përjashtimin e gjyqtares Hajdari nga gjykimi i çështjes. Gjykata duhet të marrë vendim për këtë kërkesë ndërsa pritet që Prokuroria e Përgjithshme ta dorëzojë atë ditën e sotme në Shkallën e Parë së kryeqytetit. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se prokurori i dosjes “Durrës-Kukës”, Arben Kraja ka përfunduar hartimin e kërkesës që do të dorëzohet në gjykatë. Mësohet se argumenti kryesor i saj është fakti i pretenduar nga prokuroria, se vendimi i dhënë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk është i bazuar në Kushtetutë dhe në ligje. Në kërkesën e saj, Prokuroria e Përgjithshme citon bazën ligjore, sipas të cilave çështjet penale që kanë të bëjnë me persona me imunitet, shqyrtohen vetëm në Gjykatën e Lartë ndërsa gjykatat e rretheve janë inkompetente. Ndërkaq nga Gjykata e Tiranës mësohet se argumenti pse është pranuar shqyrtimi i çështjes në fjalë në këtë institucion, ka qenë se objekti i padisë nuk bënte fjalë për procedim penal apo akuza penale, por ishte një kërkesë paraprake e palëve lidhur me procedimin penal nr.1 të janarit 2007. Në këtë dosje, është marrë i pandehur ish-ministri i Transporteve Lulzim Basha dhe ish-drejtori Juridik Andi Toma. Ministri Basha paditi prokurorinë duke pretenduar se ngritja e akuzave shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera ndaj tij, u bë nga prokuroria pas datës 6 nëntor 2008, afat të cilin me vendim të mëparshëm Gjykata e Tiranës e kishte konsideruar si ditën e fundit të afatit hetimor të dosjes “Durrës-Kukës”. Me këtë argument, Basha kërkoi pavlefshmëri absolute për akuzat e ngritura ndaj tij. t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›