Miku i tutorit merr peng ish-prostitutën para gjyqit
Dashamir Biçaku
Rrëmbehet në Athinë adoleshentja shqiptare që denoncoi tutorin për “shfrytëzim prostitucioni”. Diana R., 51 vjeçe nga Vlora, nëna e vajzës 18-vjeçare Elidona R., ka denoncuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në policinë e Athinës zhdukjen e të bijës. Policia filloi hetimin për zbulimin e rastit në fjalë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në kryeqytetin grek Athinë, më 28 tetor të këtij viti, kur vajza nuk është kthyer në banesë. Kjo ka bërë që nëna e saj të denoncojë në policinë greke në Athinë humbjen e së bijës, me dyshimin se vajza e saj ishte rrëmbyer. Pasi ka dhënë versionet e saj në policinë athinase, nëna e vajzës ka qenë në pritje të rezultateve të hetimit. Disa ditë më parë ajo është kthyer në Shqipëri dhe të shtunën ka paraqitur denoncimin pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa dje materialet janë përcjellë në prokurorinë e rrethit. Dyshimet e para të policisë kanë rënë mbi një shok të Rrapi Myzeqarit, 26 vjeç, nga fshati Vojvodë i Beratit. Ky i fundit akuzohet se e ka shfrytëzuar vajzën për prostitucion. Sipas nënës së vajzës së zhdukur, 26-vjeçari Myzeqari është ish-tutori i të bijës dhe dyshohet se vajza është rrëmbyer për të dëshmuar në Gjykatën e Apelit pro tutorit që kishte denoncuar më parë. Myzeqari, sipas burimeve të policisë, aktualisht ndodhet në burg dhe është dënuar nga organet e drejtësisë greke me tetë vite heqje lirie. Mësohet se çështja në ngarkim të tij ndodhet në Shkallën e Apelit të Athinës në pritje të shqyrtimit të saj. Dyshimi i hetuesve është se rrëmbimi i vajzës ka ndodhur pikërisht për apelimin e çështjes nga 26-vjeçari Myzeqari, që duket se do t’i bëjë presion vajzës të dëshmojë në favor të tij, në mënyrë që ai të rifitojë lirinë. Adoleshentja 18-vjeçare Elidona R., sipas burimeve policore mund t’i shërbejë rrëmbyesve për të ushtruar presion ndaj saj, me qëllim që në Gjykatën e Apelit ajo të dëshmojë pro të akuzuarit Myzeqari. Nga dëshmitë e marra nga nëna e vajzës, policia ka ngritur dyshimet se autori i ngjarjes mund të jetë një mik i afërt i ish-tutorit të 18-vjeçares. Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e tij, por mësohet se janë shoqëruar në ambientet e policisë së Vlorës dhe të Tiranës të afërm të palëve, të cilët pas marrjes së deklarimeve janë lënë të lirë.