Shkodër, vret fqinjin për një rrugicë
SHKODER - Pak orë pas ekzekutimit të biznesmenit të ndërtimit, një tjetër vrasje ndodhi dje në Shkodër. Abdullah Durra, 50 vjeç nga lagjia "Liria", vrau me pistoletë fqinjin e tij, Agim Tahiri. Policia e Shkodrës arrestoi autorin brenda një kohe rekord, ndërsa dokumentoi shkakun e këtij krimi. Mësohet se vrasja u shënua rreth orës 06:50 për shkak të një konflikti për një rrugicë të shtruar me zhavorr. Pas hetimit të kryer, bazuar edhe në dëshminë e të arrestuarit, konflikti e kishte patur zanafillën një javë më parë. Atëherë kur viktima, Agim Tahiri kishte martuar djalin. Gjatë përgatitjeve për dasmë, ai kishte vendosur ta shtronte rrugicën e ngushtë përpara shtëpisë së tij me zhavorr, në mënyrë që të evitonte baltën. Por duket se ky veprim nuk është mirëpritur nga fqinji Durra. Pikërisht për këtë shkak nisi edhe konflikti ndërmjet tyre. Autori i vrasjes i kërkoi 53-vjeçarit të mos e shtronte rrugicën duke pretenduar se kjo rrugë ishte pronë e tij dhe se i takonte vetëm atij të vendoste për ndryshimet që duhej të bëheshin në të. Debati mes palëve nisi edhe në ditët në vijim, derisa situata mes tyre u acarua së tepërmi. Mëngjesin e djeshëm, kur viktima doli nga banesa, Abdullah Durra i zuri rrugën dhe nisi sërish debatin. Situata u acarua derisa Durra nxori një pistoletë dhe qëlloi 53-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend. Policia e Shkodrës pak minuta më vonë, vuri në pranga Durrën. Burime të policisë bënë të ditur se autori rezulton të jetë kontingjent i mëparshëm kriminal. Ai kishte kryer dënim edhe më parë po për vrasje. r.d