E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Biznesmenin e vrava për 500 mijë lekë”

 

SHKODER / RITVAN DIBRA

Për 500 mijë lekë u ekzekutua biznesmeni i ndërtimit në Shkodër, Arben Bitani. Kjo shumë ishte marrë borxh prej tij disa muaj më parë, por moskthimi në kohë ka provokuar sherrin me pasojë vrasjen e 45-vjeçarit. Arsyet që sollën krimin e së hënës në Barbullush të Shkodrës janë pohuar nga i akuzuari Afrim Rraboshta, 37-vjeçari i arrestuar disa orë pas krimit. Ndonëse nuk dihet sesa i saktë është pohimi i tij, për policinë e rëndësishme është pranimi i autorësisë për vrasjen.
Rraboshta, i njohur jo vetëm si biznesmen në fshatin e lindjes në Barbullush, por dhe si vëllai i kreut të PSD-së së Shkodrës, u arrestua mëngjesin e djeshëm. Kur ora shënonte 02:00 e të martës, kërkimet e policisë së Shkodrës rezultuan të suksesshme. Në një zonë të pyllëzuar, në një kodër të komunës Bushat u gjet i shumëkërkuari prej orës 17:00 të së hënës, Afrim Rraboshta. I akuzuar për vrasjen me dy plumba pistolete të Arben Bitanit, brenda makinës së viktimës, ai ka pranuar fajësinë. Policia pohoi se arma e krimit nuk u gjet, por gjurmët e lëna brenda mjetit ku ndodhi ekzekutimi, si dhe dëshmia e të arrestuarit kanë zbardhur ngjarjen e rëndë.
Gjatë marrjes në pyetje paraditen e djeshme Rraboshta ka pohuar motivin, që dyshonte dhe policia se kishte provokuar vrasjen. Sipas tij, viktima i kishte marrë muaj më parë një shumë prej 500 mijë lekësh të reja si borxh, për ta kthyer shumë shpejt. Ndonëse 37-vjeçari prej kohësh i kishte kërkuar kthimin e parave brenda kohës së caktuar prej tyre, biznesmeni i ndërtimit nuk ia ka dhënë. Ai ka shtuar se gjatë qëndrimit në lokalin e fshatit Barbullush ditën e Kurban Bajramit ata iu rikthyen çështjes së parave, por duke përfunduar me sharje dhe fyerje të rënda, për të shkuar deri në vrasje. Nga burime të policisë së Shkodrës mësohet se ndërsa dëshmonte për ngjarjen dhe motivet e saj Rraboshta ka shprehur pendim për atë që kishte ndodhur. Vrasjen ai pohoi se e kishte kryer në kushtet e gjaknxehtësisë, pak metra pasi kishte udhëtuar në të njëjtën makinë me biznesmenin me origjinë nga fshati i tij. Ata sapo kanë dalë nga lokali, duke debatuar hipën në makinën luksoze të biznesmenit Bitani, por në këtë kohë pasagjeri e ka qëlluar me pistoletën që mbante me vete. Policia po vazhdon kërkimin për armën, nisur dhe nga dëshmia që vetë i arrestuari ka dhënë. Pritet që 37-vjeçari të dalë para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë për ngjarjen dhe nëse ajo do të cilësohet si "vrasje në gjaknxehtësi e sipër" apo si e planifikuar. Në këtë përfundim Prokuroria do të shkojë pasi të sigurojë dhe deklarimet e të njohurve të viktimës dhe autorit nëse mes tyre ka pasur dhe konflikte të mëparshme. Arben Bitani njihej në Shkodër si ndërtues pallatesh, një prej të cilëve po ngrihej në qendër të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›