E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks regjistrimesh për Part-Time

 

Fluks regjistrimesh për të fituar të drejtën e studimit me kohë të pjesshme. Dhjetëra kandidatë kanë dorëzuar dosjet përkatëse pranë të gjitha fakulteteve që ofrojnë këtë cikël studimesh. Ndonëse nuk është bërë ende një bilanc, sekretaritë e fakulteteve pranojnë numrin e lartë të kërkesave.A plikimet  do të vazhdojnë deri më 14 dhjetor. Kriteri përzgjedhës për kandidatët në sistemin e studimeve part-time është nota mesatare e gjimnazit, po ashtu për ata që konkurrojnë për të fituar një fakultet të dytë do të përzgjidhen në bazë të notave të diplomës së fakultetit që kanë kryer. Pas shqyrtimit të dosjeve  do të shpallen fituesit dhe studentët do të kenë kohë vetëm disa ditë për t'u regjistruar. Ky proces do të nisë më 19 dhjetor. Por vitin akademik studentët e part-time duket se do ta nisin në fillim të 2009. Kjo ndonëse MASH dhe universitetet premtuan mbylljen e procesit brenda këtij vitit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili disa javë më parë miratoi dhe kuotat e tarifat, raporti i pranimeve në ciklin e studimeve part-time për fakultet të parë dhe të dytë është dy me një. Të interesuarit kanë edhe disa ditë kohë për të aplikuar. Çdonjëri prej kandidatëve duhet të paraqitet në sekretaritë e fakulteteve me një sërë dokumentesh. Tarifa e regjistrimit është 1500 lekë. Ata duhet të dorëzojnë dëftesën e pjekurisë së shkollës së mesme ose një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barazvlershme me të; një dokument identifikimi (certifikatë lindjeje me fotografi ose pasaportë); dy fotografi dhe mandatin e arkëtimit të tarifës së regjistrimit. Më i shtrenjti ndër studimet part-time është Fakulteti i Drejtësisë. Studimet do të zhvillohen vetëm në Universitetin e Tiranës, me 200 kuota dhe në atë të Shkodrës me 60 vende të lira. Në Tiranë studimet e drejtësisë do të kushtojnë 90 000 lekë në vit, ndërsa në Shkodër 70 000 lekë në një vit. Me kosto më të ulët janë studimet me kohë të pjesshme në degët e Mësuesisë, si Cikli i Ulët apo ai për parashkollorët dhe Matematikë e Fizikë. Tarifa të larta kanë edhe Fakultetet e Universitetit të Tiranës, ku studimet më të lira për një vit fillojnë nga 50 000 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›