Vendimi, për pallatin e shembur, kompensim 23 mijë lekë/m2
GJIROKASTER - Banorët e pallatit të rrëzuar një muaj më parë, kanë ngelur të zhgënjyer nga qeveria. Vlerësimi i dëmeve për ta është qesharak dhe aspak shpresëdhënës për të blerë sërish një apartament me hapësirat e dikurshme. Në një takim që ata kanë ndërmarrë dje me prefektin e Gjirokastrës Spiro Ksera, banorët kanë ngelur të habitur kur përfaqësuesi i qeverisë në jug të vendit, i ka informuar se dosja ka kaluar në Këshillin e Ministrave dhe pritet dëmshpërblimi i të 14 familjeve për apartamentet e humbura. Ndryshe nga çfarë u premtua nga krerët e shtetit në ditët e tragjedisë së 9 tetorit për vlerësimin në shifrën 42 mijë lekë/m2, dje banorët kanë mësuar se kjo shifër është përgjysmuar. Vetëm 23 mijë lekë është shifra për m2 që do të përfitojnë të 14 familjet e pallatit të shembur. Kjo sipas banorëve nuk i është përafruar aspak deklarimit të bërë nga ana e pushtetarëve, se vlerësimi për m2 i apartamenteve, do të jetë sipas çmimeve më konkurruese në tregun e sotëm imobilar. "Nëse vërtetë do të jepen këto vlera monetare nga ana e qeverisë shqiptare, nuk do të arrijmë të blejmë as një shtëpi për të futur kokën", pohojnë njëzëri banorët. Po dje, ata kanë kontaktuar me përfaqësuesin ligjor të tyre, për të ngritur një padi në ngarkim të drejtuesve të firmës ndërtuese "Arti" sh.p.k., që shkaktoi tragjedinë mesditën e 9 nëntorit. Ngritja e një padie në ngarkim të pronarëve të firmës së ndërtimit për t'i dëmshpërblyer, duket se është për ta rruga e vetme pse jo dhe legjitime për të përfituar atë që u takon.