Fier, grabitet ish-drejtori
FIER - Ish-drejtori i Rafinerisë në Fier, Ilir Dulla, denoncoi mbrëmjen e së hënës vjedhjen në banesë të një sasie të konsiderueshme parash. Kur në shtëpinë e tij nuk gjendej njeri, dikush ishte futur dhe kishte grabitur shumën prej 85 mijë eurosh dhe 60 mijë dollarësh. Ai evidentoi vjedhjen e kryer kur u kthye në banesë dhe konstatoi rrëmujë në të. Menjëherë është drejtuar për të kontrolluar vendin ku mbante paratë, por atëherë 37-vjeçari dha alarmin pasi ato ishin grabitur të gjitha. Policia e Fierit pas denoncimit të kryer nisi hetimin, ndërsa fiksoi gjurmë në banesën e vjedhur. Në orët e para të dites së djeshme u arrestua njëri nga autorët e vjedhjes, 40-vjeçari Edmond Avdo. Blutë gjetën në mjetin e tij edhe një sasi parash. Ndonëse nuk bëhet e ditur shuma e gjetur, sipas burimeve, sasia e parave është e papërfillshme krahasuar me ato që konsiderohen të humbura. Burime të policisë bënë të ditur se është në kërkim edhe një person tjetër i implikuar në vjedhje, emri i të cilit për efekt hetimi nuk bëhet i ditur. Dyshohet se ata kishin disa kohë që survejonin lëvizjet e familjes Dulla, pasi janë futur në banesë pikërisht në momentin kur kanë qenë të sigurt se askush nuk ndodhej në të. m.r