Akuza për abuzim seksual, 17-vjeçarja hakmarrje ndaj abuzuesit
Merr hak ndaj personit që e akuzon për abuzim seksual, pas lirimit të tij nga gjykata për mungesë provash. Kishte kaluar një muaj që kur adoleshentja 17-vjeçare kishte kryer një denoncim në policinë e Lezhës për përdhunim. Por, pas arrestimit nga uniformat blu dhe procesit gjyqësor në gjykatë, 18-vjeçari i denoncuar ishte liruar sërish për mungesë provash. Një gjë e tillë ishte e papranueshme për adoleshenten me iniciale A.J., e cila nuk mund ta harronte kurrsesi këtë ngjarje. Ajo ka marrë një pistoletë dhe së bashku me njerëzit e afërt të saj ka shkuar në lokalin, pronë e këtij të fundit. Pasi e ka parë të ulur në lokal, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij, por asnjë plumb nuk e ka dëmtuar atë. Ajo është vënë në pranga pak më vonë nga policia e Lezhës dhe është shoqëruar në qelitë e komisariatit.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, rreth orës 10:30 në fshatin Shën Koll të Lezhës. 17-vjeçarja me inicialet A.J. është futur brenda ambienteve në lokalin, pronë e shtetasit A.L. Së bashku me të kanë qenë edhe tre persona të tjerë. Bashkë me adoleshenten, sipas burimeve policore, kanë qenë nëna e saj, motra dhe shoqja e ngushtë. Brenda në lokal kanë gjetur 18-vjeçarin me inicialet K.L., të cilin ajo e kishte denoncuar më parë për përdhunim. Por, ai ishte sërish i lirë dhe kjo ishte diçka që nuk mund të pranohej nga 17-vjeçarja e tronditur nga kjo ngjarje. Ajo ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tri herë ndaj tij. “Qëllova për ta vrarë. Ai më kishte përdhunuar dhe ishte sërish i lirë”, - mësohet të ketë deklaruar adoleshentja para punonjësve të policisë. Por, vetëm pak minuta më pas, deklaratat e 17-vjeçares ndryshuan dhe ajo u shpreh se “synimi i vetëm ishte që ta trembte të riun”.
Akuza
Rreth një muaj më parë të rinjtë kanë qenë në po të njëjtin lokal. Pasi ata kanë kaluar pak kohë bashkë, sipas 17-vjeçares, i riu ka nisur ta ngacmojë seksualisht atë. Të nesërmen, adoleshentja është drejtuar në policinë e Lezhës, ku ka bërë një denoncim në komisariat. Nisur nga denoncimi i kryer, uniformat blu kanë vepruar duke kryer edhe arrestimin e të riut. Por, pak ditë më pas, ai u lirua sërish me vendim të gjykatës “për mungesë të provave”. Megjithatë, një vendim i tillë nuk është “kapërdirë” lehtë nga 17-vjeçarja, e cila tashmë synonte që t’i jepte vetë një mësim të mirë “ish-shokut të saj”. Sapo ka marrë vesh, se i riu gjendej në po të njëjtin lokal, ku para rreth 30 ditësh ai, sipas saj, e kishte përdhunuar, nuk ka duruar, por ka gjetur një pistoletë dhe ka qëlluar ndaj tij. Megjithatë, i riu është shmangur dhe asnjë plumb nuk e ka prekur atë, duke mos ngelur i dëmtuar. Ai ka arritur që të largohet, ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar edhe policia. Ajo ka shoqëruar në komisariat adoleshenten, ndërkohë që ka sekuestruar edhe armën me të cilën ajo ka qëlluar. Sipas deklaratave të kryera, ajo e ka kryer këtë veprim e ndikuar nga ngjarja e një muaji më parë. Adoleshentja është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Ajo akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”.