Reagimi, Ministria: Pajisja me karta identiteti, informim periodik për PS-në
Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për shtyp sqaron opinionin publik se janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të realizuar informimin dhe transparencën e plotë mbi procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike. Ministria e Brendshme ka informuar zyrtarisht dhe në mënyrë periodike mbi procesin Partinë Socialiste dhe të gjitha subjektet e interesuara, duke filluar që nga data 1 shkurt 2009. Këto informacione janë dërguar zyrtarisht pranë përfaqësuesve të Partisë Socialiste në komisionin e posaçëm parlamentar në datën 20 mars, në datën 1 prill, në datën 7 prill, në datën 15 prill, në datën 28 prill dhe në datën 5 maj 2009. Ministria e Brendshme sqaron opinionin publik se VKM nr.366 i shoqëruar me listën përkatëse të personave pa pasaportë është shpërndarë dhe funksionon në çdo njësi të qeverisjes vendore. Ministria e Brendshme informon se numri i aplikantëve pa pasaportë, të cilët përfitojnë kompensimin financiar nga qeveria shqiptare është 340 mijë shtetas. Nga kjo skemë kompensimi kanë përfituar deri më tani 90 mijë pensionistë pa pasaportë. Ministria e Brendshme i ka dërguar zyrtarisht Partisë Socialiste listën e të gjithë personave pa pasaportë të mbetur pa aplikuar ende deri në datën 5 maj 2009, përmes shkresës së saj me nr. prot. 3457. Kjo listë i është dërguar njëkohësisht dhe në datën 6 maj 2009 përfaqësuesve të opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar. Ministria e Brendshme ka verifikuar të gjitha rastet e pretenduara nga Partia Socialiste për personat pa pasaportë, por që nuk gjenden në listat e Ministrisë së Brendshme, verifikim nga i cili ka rezultuar një saktësi maksimale e këtyre listave zyrtare. Procesi i pajisjes me kuponat me vlerë 200 lekë për të gjithë shtetasit që rezultojnë pa pasaportë po realizohet në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore dhe në sportelet e Postës Shqiptare në të gjithë territorin e vendit.