E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon Prokurorinë për përjashtimin e tre gjyqtarëve



Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e grupit të prokurorëve të çështjes “Gërdeci”, duke mos zëvendësuar tre gjyqtarët për të cilët ata kërkuan përjashtimin. Sipas kolegjit penal që shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga kryetari i grupit të hetimit, Sokol Stojani, kërkesa është e pabazë dhe nuk ka shkaqe për të përjashtuar tre gjyqtarët Besnik Ymeraj, Evgjeni Sinoimeri e Irma Bala nga shqyrtimi i kësaj dosjeje. Vendimi merrte që në atë moment formën e prerë dhe gjykimi i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme në ngarkim të 29 të pandehurve dhe subjektit “Alb Demil” do të vijonte nga të njëjtët gjyqtarë të kolegjit penal të caktuar me short. Kërkesa e prokurorit Stojani u argumentua në fillim të seancës për përjashtimin e çdo gjyqtari. Lidhur me largimin nga ky gjykim të gjyqtarit Besnik Ymeraj, prokurori Stojani e akuzoi kryesuesin e kolegjit penal për lidhje të ngushta me avokatin e deputetit Fatmir Mediu dhe kunatin e këtij të fundit, Ilirjan Celibashi. Gjithashtu, sipas prokurorit, ky gjyqtar ka konflikt interesi, pasi vajza e tij është avokate në studion ligjore që ka mbrojtur interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji. Por, në këtë moment ka ndërhyrë avokati i ish-ministrit Mediu, Ardian Visha, i cili deklaroi hapur miqësinë e ngushtë dhe 10-vjeçare të tij me dy prokurorë të grupit hetimor, Arqile Koço e Kujtim Lila. Sipas tij, i bie që edhe kjo lidhje të cenonte paanshmërinë në hetim dhe gjykim. Gjithashtu, prokurori kërkoi përjashtimin edhe për dy gjyqtaret, Sinoimeri e Bala, me pretendimin se kanë shqyrtuar në dhomën e këshillimit në Gjykatën e Lartë kërkesat për sekuestrot konservative të pronave të të pandehurit Mihal Delijorgji, ndërkohë që njëra prej tyre ka shqyrtuar edhe kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për moskompetencën e shqyrtimit të masave të sigurisë për të pandehurit e arrestuar të dosjes “Gërdeci”.

Kërkesat për veçim të çështjes

Në përfundim të kërkesës së prokurorëve, e cila u rrëzua nga kolegji penal i drejtuar nga gjyqtarja Shpresa Becaj, ishte radha e avokatëve për të paraqitur kërkesat paraprake. Për pjesën më të madhe të tyre kishte vetëm një kërkesë, veçimin e gjykimit për klientët dhe shpalljen e moskompetencës së kësaj gjykate për gjykimin e akuzave të të pandehurve që kërkuan ndarje. Sipas tyre, pamundësia e ankimimit të vendimit në një shkallë tjetër gjyqësori konsiderohet një shkelje e të drejtës së njeriut nga avokatët, një e drejtë që klientëve të tyre u takon me ligj. Sipas avokatëve, me dërgimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme iu ka mohuar të drejtën për gjykim edhe në shkallë të tjera 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Sipas avokatëve, Gjykata e Lartë ka si kompetencë gjykimi si Gjykatë e Shkallës së Parë deputetët, ministrat etj., siç përcaktohet edhe nga neni 141 i Kushtetutës, ndërsa të pandehurit e tjerë nuk duhet të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Sipas mbrojtjes, të gjithë të pandehurit e tjerë do të humbitnin çdo mundësi që të gjykohen nga një shkallë më e lartë gjyqësori, ndërkohë që është një e drejtë që u takon me ligj, ajo e ankimimit të vendimit. Për këtë arsye, mbrojtësit kanë argumentuar se dosja duhet të ndahet dhe të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, në mënyrë të tillë që në Gjykatën e Lartë të gjykohet vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të njëjtës kërkesë në fund iu bashkua edhe avokati i ish-ministrit Mediu, i cili tha se çështja duhet veçuar. Ndërsa një numër i vogël avokatësh ia la në çmim gjykatës për të vendosur se kujt i përket si kompetencë dhe nëse duhet veçuar si gjykim për të pandehurit që ata mbronin.

Legjitimohen si palë Avokati i Shtetit dhe avokatët e të dëmtuarve

Legjitimohen nga Gjykata e Lartë si palë në proces edhe Avokati i Shtetit dhe avokatja që përfaqëson interesat e 21 familjeve të prekura nga tragjedia e 15 marsit të vitit të kaluar. Në këtë proces, Avokati i Shtetit përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kërkon që Mihal Delijorgji dhe shoqëria “Alb Demil” të dëmshpërblejë shtetin për paratë që kompensoi familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit dhe dëmet që iu shkaktuan banesave dhe bizneseve të tyre. Madje, përfaqësuesit e Avokatit të Shtetit kërkuan që pronat dhe llogaritë bankare sekuestruar Delijorgjit dhe subjektit “Alb Demil” t’i kalojnë shtetit. Ndërkohë që pala e dytë civile ishte avokatja Blerta Kraja dhe 21 familje të dëmtuara fizikisht nga tragjedia. Përmes padisë civile, ajo kërkon të mbrojë interesat e palëve të prekura gjatë shpërthimit të fabrikës së demontimit.

Kërkojnë legjitimimin si palë dhe 12 familje të tjera të prekura nga tragjedia

Para se kolegji penal të tërhiqej për të vendosur mbi datën e seancës së radhës, një tjetër person ngriti dorën në fund të sallës, duke kërkuar të ishte palë civile në këtë gjykim. Ishte Bardhyl Ibro, një ndër personat e prekur nga tragjedia dhe që përfaqësonte 12 familje të prekura nga kjo tragjedi. Ai deklaroi para kolegjit penal se nuk kishte të bënte me grupin e parë të familjeve të prekura, por përfaqësonte një tjetër grup familjesh të prekura nga tragjedia. Një ndër firmëtarët e kësaj padie civile, nga ku kërkohet dëmshpërblim moral dhe pasuror deri në 500 mijë euro, është edhe shtetasja Anisa Sagoni, e cila për shkak të tragjedisë së rëndë abortoi fëmijën në bark, u gjymtua vetë dhe ndodhet ende në gjendje të rëndë dhe ka nevojë për rehabilitim. Sipas Ibros, duan të përfaqësohen dhe të kërkojnë të drejtën e tyre si palë civile në këtë proces.

Detaj

500 mijë euro i kërkuan si dëmshpërblim Mihal Delijorgjit 12 familje të tjera të prekura nga tragjedia e Gërdecit

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›