Bllokimi i studentëve, policia arreston administratoren e agjencisë
Merr të tjera përmasa në vendin tonë skandali i ndodhur me një agjenci turistike, për faj të së cilës u bllokuan për 3 ditë me radhë në Trieste 160 studentë të tre universiteteve private. Arrestohet administratorja e agjencisë turistike dhe një student, ndërkohë që hetimet kanë nisur edhe për vetë agjencinë turistike, për të cilën do merren masa penalizuese. Policia e Shtetit arrestoi dje administratoren e agjencisë turistike dhe një student 22-vjeçar, pasi ata kanë mashtruar për destinacionin e udhëtimit nga Sllovenia në Spanjë, duke marrë në mënyrë të kundërligjshme 167 viza turistike në Ambasadën Hungareze në Tiranë. “Loja” e tyre u zbulua nga përfaqësia hungareze në Tiranë, e cila pezulloi vizat dhe la të bllokuar për 3 ditë 167 studentë afër portit të Triestes. Ndërkohë që ky udhëtim u shfrytëzua nga katër persona të tjerë, të cilët synonin që të kalonin në Itali në mënyrë ilegale. Në prangat e uniformave blu ranë Iris Çekani, me detyrë administratore e agjencisë turistike “Mar-Est.Travel” dhe Valter Marashi, student i vitit II në fakultetin juridik të universitetin UFO.
Ndërkohë, po sipas burimeve policore, po hetohen në gjendje të lirë katër persona, të cilët synonin të emigronin në disa vende të BE-së me dokumente të falsifikuara. Ata synonin të shfrytëzonin udhëtimin turistik për t’u larguar jashtë territorit të vendit. Kështu, janë dorëzuar materialet në prokurori për shtetasit Marios Rizai, 23 vjeç, Taulant Bega, 22 vjeç, Nazmi Zeneli, 18 vjeç dhe Ada Qadhimi, 25 vjeçe. Sipas burimeve nga policia, procedimi penal në ngarkim të tyre filloi, pasi me dokumente të falsifikuara prej agjencisë “Mar-Est.Travel” janë pajisur me viza turistike, për të udhëtuar jashtë shtetit kundrejt pagesave në shuma të konsiderueshme.
Më pas, këto viza janë anuluar nga Ambasada Hungareze në Tiranë dhe të gjithë personat e pajisur me viza janë kthyer në portin e Durrësit. Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna për intervistimin e të gjithë personave të kthyer dhe verifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “korrupsionit pasiv në sektorin privat” , “falsifikimit të dokumenteve më shumë se një herë”, “mashtrimit për qëllim fitimi”, “zbatimit të ligjit penal ndaj personave juridike”, të kryer në bashkëpunim.
Kthimi
Grupi prej 167 studentësh të bllokuar në portin e Triestes është rikthyer të dielën në Shqipëri. Trageti qëndroi prej tri ditësh i bllokuar në brigjet italiane. Studentët ishin nisur për ekskursion në Slloveni, por për shkak të parregullsive me dokumentacionin, ata nuk u lejuan të vazhdonin udhëtimin turistik nga autoritetet italiane. Studentët shqiptarë u bllokuan që prej së enjtes në brigjet italiane, pasi ambasada hungareze ka pezulluar vizat e dhëna një ditë pas nisjes së tyre. Grupi prej 167 studentësh ka udhëtuar nga Durrësi drejt Italisë dhe ndodhej në tragetin “Venezia”. Ata do të shkonin në një ekskursion në Slloveni, duke kaluar nga Italia, Spanja dhe ndaj aplikuan për t’u pajisur me viza në ambasadën hungareze në Tiranë. Kërkesa e tyre është pranuar nga punonjësit e ambasadës dhe ata kanë prerë biletat e tragetit dhe janë nisur për në portin e Triestes. Por, kur ata kanë mbërritur dhe kanë dorëzuar dokumentet për të zbritur, punonjësit e doganës nuk i kanë lejuar, duke i cilësuar vizat e paraqitura si jo të rregullta. Shkak për këtë duket se ka qenë vendimi i përfaqësisë hungareze për të anuluar vizat e dhëna, pikërisht gjatë kohës që trageti ishte në lundrim drejt Triestes. Vizat ishin dhënë për një udhëtim turistik 7-ditor.
U arrestuan
Iris Çekani, administratore
Valter Marashi, student
Nën hetim
Marios Rizai, 23 vjeç
Taulant Bega, 22 vjeç
Nazmi Zeneli, 18 vjeç
Ada Qadhimi, 25 vjeçe
Akuzat
“Korrupsion pasiv në sektorin privat”
“Falsifikim të dokumenteve më shumë se një herë”
“Mashtrim për qëllim fitimi”
“Zbatim të ligjit penal ndaj personave juridike”