Akuza për abuzime me fondet, PS kërkon shkarkimin e kreut të KKRT

Endira Bushati
Dalipi: U shkatërrua makina 600 milionë lekë, Bushati: Po e hetojmë.
Opozita kërkoi dje në Komisionin e Medias shkarkimin e kryetares së Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, Endira Bushati. Anëtari i Komisionit të Medias, Alfred Dalipi, akuzoi kryetaren e KKRT-së se ka abuzuar me detyrën, pasi ka shkatërruar një projekt prej 600 milion lekësh, duke çmontuar pajisjet e një makine të blerë në vitin 2002, që shërben për kontrollin e territorit në frekuencat audio-vizive. Për deputetin e PS-së, Komisioni duhet të procedojë më shkarkimin e kryetares Bushati, pasi ka shkaktuar një dëm të madh duke abuzuar me projektin e bashkëfinancuar nga qeveria daneze dhe ajo shqiptare. Ky projekt ka kushtuar më shumë se 600 milion lekë. Është i vetmi mjet që mund të jepte një kontribut për luftën kundër piraterisë radio-televizive në Shqipëri. E kam të gjithë projektin, sepse ka qenë një kontribut i qeverisë daneze dhe ka pasur matës fushe, analizator spektri, antenë 10 metra, dhe i gjithë ky projekti nuk ekziston. Qeveria nuk e ka këtë sy për të monitoruar të gjithë territorin. Lidhur me këto çështje, unë do ti rekomandoja Komisionit shkarkimin e kryetares së KKRT-së për abuzime të rënda financiare dhe natyrisht edhe projekt-rezolutën nuk mund ta miratoj, që është një copy-paste e vitit të kaluar, deklaroi deputeti Alfred Dalipi.
Reagimi
Kryetarja e KKRT-së, Endira Bushati, deklaroi dje se akuzat e deputetit Dalipi janë të pavërteta. Sipas saj, makina është blerë që në vitin 2002, e deri më sot ka kryer vetëm 9 mijë kilometra. Bushati theksoi se vetëm manuali i kësaj makine, sipas procesverbaleve, rezulton të jetë blerë 60 milionë lekë të vjetër dhe është kryer me prokurim publik nga kryetari i KKRT-së, Sefedin Çela. Për Endira Bushatin është ngritur një grup pune që do të zbardhë të vërtetën e këtij abuzimi, që sipas saj është kryer vite më parë. Kryetarja e KKRT-së theksoi se personat që kanë abuzuar me detyrën do të mbajnë përgjegjësi penale për çmontimin e pajisjeve nga makina Toyota Land Cruiser. Dini ju ndonjë manual makine që kushton 60 milionë lekë, dhe kjo ka ndodhur në KKRT-në e vitit 2002. Kjo do të shihet nga Grupi i Punës dhe do të vlerësohet nëse ka abuzim financiar, sepse unë nuk mund të mbaj barrën e përgjegjësisë për zotin para-para ardhës të vitit 2002 për çështjen e makinës. Makina nuk është për transport, dhe për shkak të mbajtjes së disa aparaturave, ka vetëm dy sedilje, drejtori teknik, për shans të keq, nuk di ti japë makinës dhe nuk e ka nxjerrë asnjëherë në rrugë. 20022012 janë vetëm 9 mijë kilometra të bëra nga kjo makinë, theksoi Bushati.
Votimi
Rezoluta për raportin vjetor të KKRT-së është miratuar vetëm me votat e maxhorancës. Opozita në Komisionin e Mediave deklaroi votën kundër projekt-rezolutës në të cilën vendosen kërkesat që duhet të përmbushë KKRT-ja në vitin 2013. Të majtët e kanë cilësuar punën e KKRT-së si të dështuar, dhe për këtë arsye deklaruan se KKRT-ja duhej riformatuar. Por, sipas deputetëve të PD-së, akuzat politike të opozitës nuk ndihmojnë aspak punën e KKRT-së në luftën ndaj piraterisë dhe monitorimit të mediave.
Anëtarët e KKRT
Nënkryetari i Komisionit të Medias, Mark Marku, deklaroi dje se rikompozimi i bordeve drejtuese të KKRT-së dhe RTSH-së do të kryhet pas miratimit të projektligjit të transmetimeve me zë dhe figurë. Marku theksoi se plotësimi i vendeve vakante do të bëhet në muajin shtator, njëkohësisht me miratimin e strategjisë së dixhitalizimit. Nuk është faji i KKRT-së nëse bordi i saj është i paplotësuar. Kjo vjen për shkak të marrëveshjes që kemi arritur së bashku dhe plotësimi i vendeve do të bëhet me ligjin e ri, theksoi Marku.
Deklarata e KKRT-së
Kryetarja e KKRT-së në një deklaratë për mediat tha dje se çmontimi i pajisjeve është kryer në vitin 2005 pa urdhër të shkruar. Endira Bushati deklaroi se e vërteta e këtij abuzimi do të zbardhet sa më parë dhe se ish-punonjësit e KKRT-së do të mbajnë përgjegjësi penale për këtë dëm financiar. KKRT-ja garanton opinionin publik se nëse gjatë verifikimeve do të konstatohen shkelje, për nëpunësit, apo ish-nëpunësit përgjegjës, do të merren jo vetëm masa administrative, por në rast konstatimi të elementeve të veprës penale, KKRT-ja do të bëjë kallëzimin përkatës pranë organeve kompetente të parashikuara nga ligji, thuhet në deklaratë.