Arvizu: Mos sabotoni zgjedhjet e 2013

Ambasadori Arvizu
SHBA dhe OSBE/ODIHR u bëjnë thirrje partive politike të mbyllin në kohë reformën zgjedhore.
Reforma, jo në minutën e fundit, do ndikojë në raportin e BE
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE/ODIHR, u bëjnë thirrje partive politike të mbyllin në kohë reformën zgjedhore. Në një tryezë të zhvilluar me ekspertë të huaj për teknologjinë në zgjedhje, ambasadori amerikan në vendin tonë kërkoi që partitë të bëjnë gjithçka në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos sabotohen. Sipas tij, ndryshimet në Kodin Elektoral nuk duhet të bëhen në minutën e fundit. Është e rëndësishme që të mos bëhet asgjë që mund të sabotojë zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Është e rëndësishme të mos vonohet dhe të mos krijohet një situatë ku reformat kryhen në minutën e fundit. Duke u vonuar, pala qeverisëse ekspozohet ndaj kritikave për kryerjen e gjërave në nxitim e sipër, thjesht që ato të quhen të mbaruara, u shpreh ambasadori amerikan. Sipas tij, vonesa gjithashtu u jep zë atyre që kritikojnë opozitën për ngecje, për bllokim, se nuk po bën më të mirën. Prandaj ky është një moment kritik. Mënyra se si do të kryhet kjo reformë do të ketë qartësisht një ndikim direkt në progres-raportin e Brukselit.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadori i OSBE-së në vendon tonë, Eugen Volfarth, i cili, pasi vlerësoi progresin e deritanishëm të Komisionit të Reformës Zgjedhore, u shpreh se mund të ecet me hapa më të shpejtë. Reforma e Kodit Zgjedhor është e nevojshme, e dëshirueshme dhe, mund të shtoj se ajo është edhe e arritshme. Vlen të përmendet, jo më pak edhe në këtë rreth të shquar, se reforma po vazhdon dhe se është bërë progres. Sidoqoftë, ka disa çështje shumë të rëndësishme që mbeten ende për tu diskutuar. Kjo është arsyeja për të cilën nevojitet patjetër që të intensifikohet puna, në mënyrë që Komisioni të mund të ecë përpara me hapa më të shpejtë, theksoi Volfarth. Sipas tij, duhen bërë të gjitha përpjekjet që të shfrytëzohet si duhet afati tashmë i shtyrë, në mënyrë që ai të mos tejkalohet sërish. Gjithashtu, është e rëndësishme që çfarëdolloj reforme të përfundojë në kohë të konsiderueshme para zgjedhjeve parlamentare. Ambasadori e vuri theksin gjithashtu te vullneti i palëve, për të cilin tha se është thelbësor në këtë proces. Le të jemi të qartë, se një rezultat cilësor është më i rëndësishëm se çdo proces i miratuar me nxitim. Zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë. U bëj thirrje të gjitha palëve që ti përqendrojnë energjitë e tyre në arritjen e një reforme të plotë, tërësore dhe përfundimtare. Ekzistenca e një vullneti politik dhe besimi të ndërsjellë është thelbësore.
Britania
Nga ana e saj, e Ngarkuara me Punë e Britanisë së Madhe në Shqipëri, Elizabeth Evans, u shpreh se është e rëndësishme që puna e Komitetit të Reformës Zgjedhore të përfaqësojë të gjithë aktorët dhe të ketë një sy drejt të ardhmes afatgjatë, dhe jo të mendojë vetëm për politikën e momentit. Pa këta dy faktorë, reformat nuk mund të jenë të qëndrueshme. Reformat elektorale të besueshme dhe të qëndrueshme do të forcojnë demokracinë në Shqipëri dhe do ti japin popullit shqiptar zërin që meriton, të thotë se nga kush dhe se si duhet të qeveriset.
Topalli: Ndryshimi i Kodit, në kohën e duhur

Jozefina Topalli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha dje në tryezën me ekspertët e huaj, se Komisioni i Reformës duhet të mbyllë miratimin e Kodit në kohën e duhur. Unë dua të besoj dhe ftoj të gjitha forcat politike parlamentare dhe aktorët e tjerë që të mundësojnë në kohën e duhur dhe me përgjegjësi profesionale amendamente të Kodit Zgjedhor, që do të jenë dhe do të certifikohen me standarde më të larta dhe do të plotësojnë shkronjë për shkronjë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për dy zgjedhjet e fundit, u shpreh Topalli. Sipas saj, kjo reformë duhet të shmangë e të plotësojë njëherë e mirë çdo lloj boshllëku që mund të kemi pasur në të kaluarën dhe që deri më sot nuk i kemi eliminuar, p.sh. votimin familjar, braktisjen e detyrës në disa raste nga administrata zgjedhore, bojkotin, bllokimin.