Fondacioni shqiptaro-amerikan, Berisha përshëndet kontributin e tyre
TIRANË Kryeministri Sali Berisha ishte dje në mbrëmje në pritjen e organizuar nga Bordi i Drejtorëve të Fondit dhe Fondacionit Shqiptaro - Amerikan të Ndërmarrjeve, në mjediset e Pallatit të Brigadave në Tiranë. Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për punën Fondit Shqiptaro - Amerikan të Ndërmarrjeve, sukses i cili, sipas tij, ka kontribuar në një ndryshim thelbësor të vendit tonë. Por, gjatë fjalës së tij, Berisha nuk la pa përmendur edhe kontributin që ata kanë dhënë për një fondacion shqiptar. “U ndala te projektet e mëdha, por nuk përmenda ato më të njerëzishmet, më të ndjeshmet. Ka qenë një veprimtari konstante e Fondacionit dhe anëtarëve të Bordit të tij. Domenick Scaglione vite më parë themeloi fondacionin e fëmijëve shqiptarë, që sot mban emrin e tij të nderuar (Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”). Fondacion që ndihmoi në diagnozë, në mjekim, fëmijë në gjendje shumë të veçantë dhe ndryshoi jetët e tyre...” - tha Berisha.