E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Drafti të mos kalojë në Qeveri

 

Trazhgim Sokolaj

Përpjekja e Ministrisë së Drejtësisë për të bërë "fakt të kryer" draftin e ndryshimeve në ligjin "Për prokurorinë" dhe kalimin e tij në Qeveri, kundërshtohet ashpër nga organi i akuzës. Prokuroria kërkon që drafti të mos kalojë në Qeveri, por të mbahet në Ministrinë e Drejtësisë me qëllim rishikimin e katër pikave, që konsiderohen "të papranueshme" nga përfaqësuesit e akuzës. Më datë 6 tetor, Ministria e Drejtësisë ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme dy variante përfundimtare të draftit për ndryshimet në ligjin aktual të Prokurorisë, duke lajmëruar se do t'i dërgojë ato në Qeveri, me qëllim kalimin e tyre në Parlament. Por burime të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, thanë dje se këto institucione nuk janë dakord që drafti të kalojë në Qeveri në gjendjen aktuale, e cila cenon rëndë disa parime të rëndësishme të Prokurorisë dhe përfaqësuesve të akuzës. "Së pari, marrja e atributeve nga ministri i Drejtësisë për të ushtruar kontrolle në Prokurori e më pas mbi bazën e tyre të paraqesë raport në Parlament, është jo vetëm një mekanizëm kontrolli, por edhe një dispozitë e cila nëse miratohet në ligj, politizon dukshëm organin e akuzës", thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, varianti më i pranueshëm i kësaj dispozite për të cilën këmbëngul dikasteri i drejtësisë, është që të lihet e drejta e ministrit të Drejtësisë për kontrolle në Prokurori, por ai të raportojë rezultatet e arritura dhe të kërkojë masa disiplinore tek prokurori i Përgjithshëm dhe jo në Parlament. Pika tjetër, e cila kundërshtohet ashpër nga organi i akuzës, bën fjalë për procedurat e shkarkimit të prokurorëve. Këta të fundit kërkojnë që të shkruhet në draft se në rast se gjykatat e konsiderojnë të paligjshëm shkarkimin e një prokurori, ai të rikthehet në detyrën që ka pasur dhe të paguhet për kohën e qëndrimit pa punë. Momenti tjetër për të cilin Prokuroria shprehet kundër draftit, është imuniteti i prokurorëve. Drafti i Ministrisë së Drejtësisë e heq atë duke theksuar se: "neni 36 i ligjit aktual të Prokurorisë, shfuqizohet". Një përmbajtje e tillë e draftit është konsideruar e papranueshme nga prokurorët, për shkak se imuniteti që ata kanë është simbolik dhe se nuk është bërë ndonjëherë pengesë për hetimin e prokurorëve të dyshuar për abuzime.

Pikat e debatueshme të draftit

1.    Heqja e Imunitetit të Prokurorëve

2.    Dhënia e atributeve Ministrit të Drejtësisë për të ushtruar kontrolle në Prokurori dhe për të raportuar në Parlament çdo 6 muaj për rezultatin e tyre, me të drejtë debati me Prokurorin e Përgjithshëm

3.    Rikthimi në punë i prokurorëve të shkarkuar, në rast se largimin e tyre nga detyra, gjykatat e konsiderojnë të pambështetur në ligj

4.    Zgjerimi i përbërjes së Këshillit të Prokurorisë

Njazi Jaho
Konstitucionalisti i njohur Njazi Jaho, është shprehur tri ditë më parë në tryezën për reformën në drejtësi, kundër çdo lloj kontrolli të Ministrisë së Drejtësisë ndaj organit të akuzës. Ai kërkoi shfuqizimin e nenit 56 edhe në ligjin aktual të Prokurorisë, dispozitë e cila i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë të kontrollojë vendimet e prokurorëve. Jaho tha se Gjykata Kushtetuese me dy vendime të saj i ka zgjidhur këto përplasje në favor të Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›