E Diel, 1 Nëntor 2026

MAKTH

Edison Ypi 

Paraditen nuk e kaloi keq. Qysh në mëngjes herët mbi 200 tituj gazetash të lexuara dhe shqiptuara në të gjitha televizionet përmes turli' gromësimash dhe lemzash fillimisht iu ngatërruan nëpër këmbë si minj. Pastaj ...minjtë u shndërruan befas në gurë varri me mbishkrime të vjetra në gjuhë të lashta që i binin mbi kokë nga qielli. Por u qetësua kur më në fund, pas një ardhje të shpejtë në vete, konstatoi se titujt në të vërtetë nuk ishin as minj të pisët as gurë të rëndë, por zogj të lehtë fluturues plot cicërima që i vërtiteshin rreth kokës dhe i ngjiteshin mbi trup duke e ledhatuar këndshëm. Por pavarësisht nga ledhatimet cicëruese, menjëherë pas kësaj provoi disa dridhma të forta në shtyllën kurrizore. Shtylla drodhi këmbët. Këmbët drodhën dyshemenë e apartamentit. Kjo e shqetësoi deri-diku. Por u qetësua përsëri duke arsyetuar se, përderisa një e tillë dridhje që ndodh rregullisht çdo ditë në të njëjtën orë të paradites, me të njëjtën frekuencë dhe amplitudë, që vjen nga të gjithë komshinjtë lart e poshtë majtas e djathtas, për sa kohë pra që të njëjtat rrëqethje vijnë nga i njëjti shkak që provokon të njëjtin efekt, askush s'ka pse bezdiset për diçka që ia provokojmë njëri-tjetrit për të njëjtën arsye apo sëmundje.
Pas dridhjes së pa zararshme të shtyllës kurrizore, orë pas ore, titujt zevzekë me minj rrëshqanorë, zogj fluturakë dhe gurë, ia lanë vendin një rutine të hutuar sterile gjumëndjellëse aspak emocionuese me halle të gjithfarshme të përditshme që s'kishin asnjë lidhje, as me ndonjë titull të veçantë të lexuar kështu apo ashtu, as me mediat në përgjithësi.
Taksiratet i nisën më vonë.
Jo pasdite, kur ekranet u mbushën me meselera latino-amerikane dhe me spektakle zbavitëse të thjeshta deri në gërditje, të këndshme deri në neveri'.
Madje as në mbrëmje kur nëpër televizorë pas lajmeve të bujshme gjatë të cilave spikerët me shumë talent, aftësi dhe stil, shqiptuan tekste shumë të qarta, të cilat tekste i dëgjoi me shumë kujdes dhe i kuptoi plotësisht, por pas një çasti s'kuptoi se si dhe pse i avulluan krejt, nuk mbajti mënd asgjë.
Taksiratet madje nuk nisën as në vazhdim të mbrëmjes, kur, copa-copa, nga butoni në buton, nga ekrani në ekran, një orë muhabet në njërin kanal, 10 minuta reportazh në një tjetrin kanal, 20 minuta quiz diku tjetër etj. etj. jo vetëm nuk u bezdis aspak, por provoi ndjesinë se e gjithë mbrëmja pati shijen e ngrënies së një bakllavaje me peta të holla ndarë në thela, me arra dhe lajthia brenda, me goxha yndyrë, dhe natyrisht një det sherbet.
Tmerret nisën aty rreth orës 11 kur pasi ishte shtrirë për të fjetur dhe mbuluar me jorgan ndjeu të kruarat e para. Epo kruajtja hera-herë i duhet organizmit, tha me vete, hormonet atë punë kanë, trupi kërkon pak Endorfinë, prandaj kruhet. Dhe ashtu brenda jorganit ia kalli thonjtë trupit të vet. Pa mëshirë. Pa e parë dhe pa u kujdesur ku. Derisa u mbulua me gjak këmb' e duar e ije. Kur ndjeu se thonjtë po i hynin në mish, nisi të reflektonte pak. More çfarë po ndodh me mua ?! Dhe duku u kruar e duke u menduar, mendim pas mendimi, reflektim pas reflektimi, dyshim pas dyshimi, përpara syve i doli udhëheqësi i programit të preferuar, i famshmi Bull Shiti, me të ftuarit e tij të asaj nate. Idetë e kundërta, diskutimet e nxehta, akuzat e rrepta, ia bënë lëmsh kokën. Sidomos sjellja në fokus e faktit që të dy krahët e të ftuarve, me të njëjtin hov që shpallnin veten për të ndershëm, akuzonin krahun tjetër për hajdutllëk. Duke u lodhur ta kuptonte thelbin e kësaj polemike, para se të dilte në përfundimin e frikshëm se ata që flasin në këtë mënyrë janë të gjithë hajdutë, as vet nuk e mori vesh si ndodhi që stomaku iu zmadhua trefish në çast. Ashtu nën jorgan preku dhe tundi pak barkun e vet. Ndjeu zhurmën karakteristike të një kutie me hekurishte të ndryshkura brenda. Pu... pu.. pu.., edhe kjo mu desh ! Prit tani kur për ta shkrirë tërë këtë skrap të më ndizet ndonjë furrnaltë brenda në bark. Sa të më bëhet barku kombinat metalurgjik, tha, më mirë po e shpie mendjen tek programi i televizionit tjetër me moderatorin Dick. Por edhe aty s'gjeti derman. Sepse të ftuarit e Dickut i sollën në mënd dilemën; Cili duhet të jetë në një televizion serioz raporti mes gallatës televizive, kulturës së divulguar dhe faktit të vërtetë kulturor. Dhe në fund të fundit cili është dallimi mes televizionit dhe mejhanes ?! Një të kujtuar këtë, sa hap e mbyll sytë, iu bë sikur nga gurmazi tek nën-barku i kaloi një biçak i mprehtë që i hapi barkun dhe bëri hekurishtet bashkë me rropullitë dhe një lëmsh gjarpërinjsh dhe zhabash t'i derdhen mes këmbëve të përgjakura nga kruajtja. Kjo ia bërë helaq të gjitha; pizhamet, jorganin, dyshekun, jastëkun, çarçafët. I tmerruar e hoqi menjëherë mendjen nga programi i Dickut dhe e degdisi te talku i Pall Rrumit në momentin kur tre të ftuar të Pallës thanë njëri pas tjetrit; Së pari jemi qytetarë, Së pari jemi intelektualë, Së pari jemi shqiptarë, pa u kujtuar askush të thotë se së pari jemi njerëz ! Kjo e llahtarisi edhe më keq. Aq keq sa vetja iu duk i dënuar me vdekje, shtrirë i pa lidhur me rripa në shtratin karrige elektrike. Dhe e kapën ngulçet spazmatike si ajo punë.
Pa ç'pa, për të shpëtuar sa të mundte nga këto lemeri, mendjen e shpuri tek diçka më e thjeshtë që kish' parë atë mbrëmje; Një video-reportazh. Fuoristrada që merr kthesën duke lënë pas pluhur mendimtar. Katundi i begatë me kodra të buta të gjitha të mbjella. Reporteri me lule në duar. Muzikë e zvargur në sfond. Trokitje nëpër porta. Pritje të ngrohta. Përshëndetje të nxehta. Qirasje me kafe, raki, ujë të freskët. Muhabet i shpenguar për gjithçka. Gjithandej qetësi, dashuri, paqe. Mirë deri këtu. Por ama kur e zonja e shtëpisë solli një tabaka me një gotë uji përsipër, ia nderi reporterit, ky e mori e afroi te goja, e ktheu ujin gllënk-gllënk-gllënk, e vuri gotën përsëri mbi tabaka' me seriozitetin më të madh, të gjitha plot tre minuta, dhe të tëra këto kamera i dha me imtësinë e një riti niponik, heroi ynë, duke u menduar pse-pse-pse o Zot shqiptarët duhet t'i shohin të gjitha këto, nga marazi desh plasi.
Pas kësaj, nga frika mos i kujtohej ndonjë video-llahtari tjetër, afër mesnatës u ngrit nga shtrati. Ndenji sa ndenji ashtu llangosur me hekurishte, dhera, zhaba, gjarpërinj dalë nga barku. Pastaj bëri të vetmen gjë që kishte mësuar në tërë këto vite tranzicioni, ndezi televizorin. Por e mbylli pas pak. Iku të bëjë dush. Dhe u shtri përsëri. Më duhet të mbledh forcat, mendoi. Po gdhin. Pas pak do t'ia behin përsëri televizionet, gazetat, titujt, gromësimat, lemzat, hamendjet, gënjeshtrat, shpifjet, intrigat, interpretimet, dyshimet, supozimet, dallaveret, hajdutllëqet. Nesër dit' e re avaz i vjetër. Nesër njëlloj si pardje, dje, sot, pasnesër, si gjithmonë.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›