Gjyqtarët, letër Withersit: Po na shkelet pavarësia
Fatos Mahmutaj
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon mbështetje për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit tek ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers. Me anë të një letre të firmosur nga Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, togat e zeza falënderojnë diplomatin amerikan për rreshtimin e tij në mbrojtje të organeve të drejtësisë. "Në emër të SHKGJ, ju lutem më lejoni që nëpërmjet kësaj letre të shpreh falënderimin tonë më të thellë për kontributin tuaj personal dhe atë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në lidhje me mbrojtjen e vlerave dhe parimeve demokratike në Shqipëri", nis letra e Kryetares së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Bejleri, e cila shton më tej se: "Do të më pëlqente gjithashtu të shprehja vlerësimin tonë dhe konsideratën e lartë për angazhimin tuaj të vazhdueshëm dhe përpjekjet konkrete që ju po ndërmerrni për të mbrojtur sipas rregullit pavarësinë e gjyqësorit". Duke vazhduar në këtë linjë, drejtuesja e njërës prej shoqatave të togave të zeza në vend pohon se së fundmi, pavarësia e Gjyqësorit është goditur ashpër në një kohë kur Shqipëria duhet të angazhohet për të arritur standardet për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë, në mënyrë që vendi mund të lëvizë përpara për të arritur qëllimin e shumëpritur të anëtarësimit në NATO dhe BE.
Këshillat
Duke vlerësuar këshillat e ambasadorit amerikan Withers, kryetarja Bejleri pohon se gjatë dobësisë aktuale në zhvillimet e fundit politike, këshillat dhe reagimet e tij kanë shërbyer si referencë themelore për përpjekjet e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit. "Mbështetja juaj personale në lidhje me ndërlikimet problematike të dala nga projektligji mbi Administratën e Gjyqësorit është për më tepër një ndihmë shumë domethënëse, jo vetëm për pavarësinë e gjyqësorit por edhe për mbrojtjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri", thotë Bejleri. Në letrën dërguar kreut të Ambasadës Amerikane, Beljeri, e cila flet në emër të shoqatës që kryeson thotë se: "Ndërsa përballemi me vështirësi të konsiderueshme në lidhje me sipërmarrjet e fundit ligjore të mazhorancës aktuale ligjvënëse në strukturat e reformave në gjyqësor, gjë që ndërhyn dhe shkel dukshëm pavarësinë e gjyqësorit, Shoqata Kombëtare e Gjykatësve vlerëson lart ndikimin tuaj pozitiv, duke e konsideruar atë ekstremisht të rëndësishëm dhe të përshtatshëm, veçanërisht kur dikush mendon autoritetin e vendit që ju përfaqësoni, vendi ku lindi dhe u rrit demokracia moderne". Në këtë linjë, gjykatësja Bejleri ka vënë theksin në debatin e ashpër në të cilin është futur muajt e fundit ekzekutivi dhe gjyqësori, pasi ky i fundit pretendon se mazhoranca qeverisëse po tenton ta vërë nën kontroll me anë të disa projektligjeve.
Roli
Në letrën për Withers, gjykatësja Bejleri duke vlerësuar rolin e tij në zgjidhjen e problemeve të drejtësisë pohon se: "Së fundmi, do të doja të shprehja bindjen time të thellë se kontributi juaj bindës në zhvillimet e fundit nuk është thjesht një fjalë kalimtare këshillash për të zgjidhur debatet politike të ditës, por një ndihmë e sinqertë dhe me dinjitet e cila do të kujtohet për një kohë të gjatë në Shqipëri, një kontribut që do të jetë themelor për mbrojtjen dhe ndërtimin e demokracisë në këtë vend".
Letër vlerësimi
Drejtuar: Të respektuarit Dr. John L. Withers, II, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara
Nga: Znj. Manjola Bejleri, kryetare, Shoqata Kombëtare e Gjykatësve (SHKGJ)
I nderuar Z. Ambasador!
Në emër të SHKGJ, ju lutem më lejoni që nëpërmjet kësaj letre të shpreh falënderimin tonë më të thellë për kontributin tuaj personal dhe atë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në lidhje me mbrojtjen e vlerave dhe parimeve demokratike në Shqipëri.
Do të më pëlqente gjithashtu të shprehja vlerësimin tonë dhe konsideratën e lartë për angazhimin tuaj të vazhdueshëm dhe përpjekjet konkrete që ju po ndërmerrni për të mbrojtur sipas rregullit pavarësinë e Gjyqësorit.
Së fundmi, pavarësia e gjyqësorit është goditur ashpër në një kohë kur Shqipëria duhet të angazhohet për të arritur standardet për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë, në mënyrë që vendi mund të lëvizë përpara, për të arritur qëllimin e shumëpritur të anëtarësimit në NATO dhe BE.
Gjatë dobësisë aktuale në zhvillimet e fundit politike, këshillat dhe reagimet tuaja shërbyen si referencë themelore për përpjekjet e SHKGJ, për mbrojtjen e pavarësisë së Gjyqësorit. Mbështetja juaj personale në lidhje me ndërlikimet problematike të dala nga projektligji mbi Administratën e Gjyqësorit është për më tepër një ndihmë shumë domethënëse, jo vetëm për pavarësinë e gjyqësorit por edhe për mbrojtjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.
Ndërsa përballemi me vështirësi të konsiderueshme në lidhje me sipërmarrjet e fundit ligjore të mazhorancës aktuale ligjvënëse në strukturat e reformave në gjyqësor, gjë që ndërhyn dhe shkel dukshëm pavarësinë e gjyqësorit, Shoqata Kombëtare e Gjykatësve vlerëson lart ndikimin tuaj pozitiv, duke e konsideruar atë ekstremisht të rëndësishëm dhe të përshtatshëm, veçanërisht kur dikush mendon autoritetin e vendit që ju përfaqësoni, vendi ku lindi dhe u rrit demokracia moderne.
Së fundmi, do të doja të shprehja bindjen time të thellë se kontributi juaj bindës në zhvillimet e fundit nuk është thjesht një fjalë kalimtare këshillash për të zgjidhur debatet politike të ditës por një ndihmë e sinqertë dhe me dinjitet e cila do të kujtohet për një kohë të gjatë në Shqipëri, një kontribut që do të jetë themelor për mbrojtjen dhe ndërtimin e demokracisë në këtë vend.
Prandaj ju lutem të më lejoni z. Ambasador, që edhe një herë të shpreh falënderimet më të përzemërta të miat dhe të Shoqatës Kombëtare të Gjykatësve.
Sinqerisht Juaja,
Manjola Bejleri
Kryetare
Shoqata Kombëtare e Gjykatësve
Xhaferllari: Të huajt s’ishin kundër drafteve për drejtësinë
TIRANE - Marsida Xhaferllari, Drejtoresha Juridike në Ministrinë e Drejtësisë pohoi dje se përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Tiranë nuk kanë kundërshtuar draftet për drejtësinë, të kontestuar kohët e fundit nga komuniteti i juristëve, duke përshirë, gjykatësit, prokurorët, avokatët dhe noterët. Sipas Xhaferllarit, ka rezultuar që dhënia e drejtësisë dëmtohej nga tre faktorë bazë: korrupsioni, paaftësia profesionale dhe fiktiviteti. "Këtyre u janë gjetur modele dhe ne nuk kemi shpikur gjë të re. Ne kemi marrë modelet nga të tjerë dhe i kemi adaptuar në projektligjet që kanë shkuar për miratim në Kuvend, me qëllim për të luftuar pikërisht këto tre fenomene", pohoi dje Xhaferllari. Sipas saj s'do të kishte kuptim projektligji që rregullon funksionet në gjyqësor nëse do të bëhej pikërisht nga gjyqtarët. Kjo për faktin se gjyqtarët kanë detyrën kryesore të njohur nga Kushtetuta, për të zbatuar ligjin dhe jo draftimin e ligjit. "Draftimi dhe miratimi i ligjit është kompetencë ekskluzive e parlamentit, dhe të jeni të sigurtë që Ministra e Drejtësisë në procesin e draftimit ka marrë të gjitha mendimet e shqetësimet e grupeve të interesit në analizë. Sigurisht që nuk mund të jetë ky produkt i vetëm i pushtetit gjyqësor apo produkt i vetëm i organit të prokurorisë", tha kreu juridik në Ministrinë e Drejtësisë, e cila shtoi më tej se projektligji për administratën gjyqësore është derivim i ligjit për gjyqësorin, që ka kaluar në parlament me konsensus të plotë, madje dhe është përshëndetur në mars të vitit 2008. "Ishte pikërisht ky ligj që vendosi që shërbimet mbështetëse dhe administrata gjyqësore do të jenë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë", tha Xhaferllari. Duke folur për rolin e misioneve të huaja që veprojnë në Shqipëri, në ndihmë të sistemit të drejtësisë, Xhaferllari tha se sigurisht që i kishte dëgjuar shprehjet e përfaqësuesit të Euralius dhe se ai nuk e kishte vënë theksin që në ligje të kishte munguar debati apo konsultimet me palët në proces. "Ai ka shprehur një parim që sigurisht duhet të shoqërojë të gjithë procesin e draftimit dhe miratimit të një ligji, konsultimet me grupet e interesit", përfundoi Xhaferllari, duke kundërshtuar thëniet se të huajt janë kundër drafteve që qeveria ka dërguar në Kuvend. fa.ma