Dade: Maxhoranca socialiste në pushtet, ligje të reja për drejtësinë
Partia Socialiste mbështet shqetësimin e përfaqësuesve të misionit EURALIUS, si dhe të shoqatave të gjyqtarëve për çështjet e drejtësisë. Sipas Sekretares së marrëdhënieve ndërkombëtare në selinë rozë Arta Dade, shqetësimi i tryezës së ekspertëve është e njëjta me shqetësimin e partnerëve strategjike SHBA dhe BE por edhe të vetë opozitës se kjo maxhorancë po ndërhyn në punën e prokurorisë. "Takimi i djeshëm i të gjithë aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sferën e drejtësisë, përfaqësuesit e nderuar dhe të respektuar të shoqatave të gjyqtarëve, proku-rorëve, avokatëve, vërtetoi katërcipërisht shqetësimin e PSSH se kjo maxhorancë ka ndërhyrë brutalisht në pavarësinë e institucioneve të njohura nga kushtetuta si të pavarura", tha Dade. Më tej, ajo ka vijuar duke theksuar se "tryeza e djeshme e përfaqësuesve të EURALIUS, si kontribut i Komisionit Evropian, është tregues i shqetësimit edhe të BE, qëndrim i shprehur edhe para pak ditësh përmes deklaratës së ambasadorëve të vendeve të BE në Tiranë, e cila pasoi shqetë-simet në rritje të ambasadorit të SHBA Xhon Widhers". Sipas saj, ky cenim është shprehur dukshëm përmes akteve ligjore dhe nënligjore që kjo maxhorancë ka kaluar, si dhe përmes ndërhyrjes direkte të ekzekutivit në punën e prokurorisë, duke thelluar konfliktualitetin mes institucioneve në vend, gjë e cila përbën përkeqësimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar. Dade u shpreh se ligjet që maxhoranca e ardhshme socialiste në pushtet do t'i hartojë në bashkëpunim me të gjithë grupet e interesit, duke garantuar kështu dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese. "Nesër në qeverisje, maxhoranca socialiste do të zbatojë këtë reformë sipas parametrave dhe filozofisë në një shoqëri realisht demokratike, duke u bazuar edhe në kontributet e vyera në radhë të parë të të gjithë aktorëve, specialistëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të këtij sistemi, si edhe ndihmesën e vyer të partnerëve tanë euroatlantik, e cila ka qenë përherë e pranishme", tha Dade.
Apeli i Shefit të EURALIUS
TIRANE - Shefi i Misionit EURALIUS në Shqipëri, Roland Miklau deklaroi tri ditë më parë, se është e nevojshme që draftet që hartohen prej Ministrisë së Drejtësisë të jenë transparente dhe përfshijnë në diskutime të gjitha palët. Zyrtari i misionit evropian bëri apel, që nismave për ndryshime ligjore në kuadër të reformës në drejtësi t'u kushtohet koha e duhur, ndërsa draftet të hartohen me konsensusin dhe debatin e të gjitha palëve të interesuara. Zyrtari evropian Roland Mikalu, i dha këto mesazhe në një tryezë të organizuar nga Transparency International Albania.