E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Kombinat, tri pista

 

DASHAMIR BIÇAKU

Policia shoqëroi një numër prej më tepër se 20 personash të dyshuar pas vrasjes së Ilir Nezirit, mbrëmjen e të shtunës në Kombinat. Në pistat hetimore për ngjarjen e të shtunës në mbrëmje, seksioni i hetimit të vrasjeve ka listuar veç hakmarrjes dhe larjes së hesapeve për shkak të përfshirjes së viktimës në trafik droge e të hakmarrjes, si dhe atë të ekzekutimit për shkak të borxheve. Versioni i hetimit për borxhet është bërë i ditur nga burime të seksionit të hetimit të vrasjeve, sipas të cilave viktima u detyrohej personave të tjerë një shumë të konsiderueshme të hollash. Sipas hetuesve, një version i tillë është i mundshëm të ketë qenë shkaktari, që ka çuar në ekzekutimin e Ilir Nezirit. Pavarësisht kësaj, hetuesit e policisë kanë marrë deklarime nga dy persona, që kanë pasur marrëdhënie financiare me viktimën e atentatit të ndodhur mbrëmjen e të shtunës. Grupi i hetimit ka vazhduar përgjatë 48 orëve marrjen në pyetje të rreth 20 personave të shoqëruar, disa prej të cilëve janë lënë të lirë, pasi është sqaruar se ishin rastësisht në vendin e ngjarjes dhe nuk kishin lidhje me krimin. 
Hakmarrja
Versioni kryesor i hetimeve në lidhje me vrasjen e Nezirit është ai i ekzekutimit për motive hakmarrjeje. Ky version është ngritur nga hetuesit, pasi viktima ka qenë i hetuar, si ndihmës dhe informator i Altin Hoxhës, në vrasjen e Petrit Drizës në dhjetor të vitit 2005. Driza në atë kohë 30 vjeç, dyshohet se ishte qëlluar për hakmarrje nga Altin Hoxha. Disa muaj përpara se i dyshuari Hoxha të ekzekutonte Petrit Drizën, thuajse në një vend me krimin e të shtunës, ishte vrarë vëllai i Altin Hoxhës. Për këtë krim, policia dyshoi se autor ishte pikërisht Petrit Driza, i cili u ekzekutua disa muaj më vonë. Petrit Driza, u ekzekutua thuajse në njëjtin vend ku dy net më parë u qëllua një herë me armë zjarri në kokë, 48-vjeçari Ilir Neziri. Ai ishte dyshuar nga policia se në dhjetor të vitit 2005, kishte nxjerrë në pritë bashkë me një person tjetër, 30-vjeçarin Driza. Ilir Neziri, u la i lirë edhe pse fillimisht u arrestua i dyshuar si "informator" i vrasësit të Petit Drizës.
Droga
Pista e dytë që po verifikojnë hetuesit është ajo e një vrasjeje që lidhet me një rrjet të mundshëm të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë. Një muaj e gjysmë më parë, Ilir Neziri dhe djali i tij Alkion Neziri, u ndaluan nga zyra e antidrogës me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Gjatë hetimit të kryer nga Prokuroria, djali i viktimës mori përsipër pronësinë e lëndës narkotike të bllokuar nga policia. Para hetuesve ai kishte pohuar, se droga ishte e tij dhe se i ati nuk kishte lidhje në këtë histori. Policia dyshon se bashkëpunëtorët e viktimës apo djalit të tij, në këtë linjë trafiku mund të kenë gisht në vrasjen e të shtunës në mbrëmje. Për këtë shkak, policia ka shoqëruar persona të skeduar në shitjen e drogës dhe që kanë pasur lidhje me viktimën. Versioni i fundit sipas hetuesve është ai i një borxhi të pashlyer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›