Rrihet taksambledhësi, prangoset dhunuesi pas denoncimit
SKRAPAR – Teksa po ushtronte detyrën e mbledhjes së taksave, një punonjës i Tatimeve pranë Bashkisë së Çorovodës është ndodhur përballë dhunës së një qytetari, i cili është ndaluar disa orë pas ngjarjes. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se mbrëmjen e dy ditëve më parë është ndaluar shtetasi Bujar Caka, lindur në vitin 1962 në fshatin Sharovë të komunës Qendër, në rrethin e Skraparit. Sipas tyre, ndaj 46-vjeçarit Caka ka mbërritur një denoncim prej shtetasit Adil Guri, 52 vjeç, me banim në lagjen “Çlirim”, të qytetit të Çorovodës, me detyrën e taksambledhësit të tregut të qytetit. Sipas kallëzimit, rreth orës 12.00 të ditës së hënë, punonjësi i tatim-taksave është keqtrajtuar nga Bujar Caka teksa po ushtronte detyrën. Punonjësi i bashkisë është qëlluar me grushte nga 46-vjeçari. Pas agresionit, ai është larguar për në banesën e vet në fshatin Sharovë, duke menduar se pas kësaj nuk do të shkonte kallëzimi në polici. Dhunuesi ka tentuar ta zgjidhë konfliktin në rrugë personale, por drejt banesës së tij janë nisur forcat e rendit, të cilat kanë bërë ndalimin dhe më pas shoqërimin e Bujar Cakës në Komisariatin e Policisë. Ndaj tij ka nisur hetimi pasi akuzohet për veprën penale “goditje dhe fyerje për shkak të detyrës”, e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.
19 Mars 2008