E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat e opozitës për integrimin, reagon Bregu

Ministria e Integrimit ka reaguar dje pas akuzave të deputetit socialist, Taulant Balla, se Shqipëria ka mbetur prapa në procesin e integrimi në BE. Në një reagim zyrtar, Ministria e Integrimit rrëzoi poshtë këto kritika, si dhe deklaroi se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj. “Lidhur me detyrimet e të qenit shtet anëtar i BE-së, Shqipëria ka plotësuar deri tani 70 % të këtyre detyrimeve dhe është vendi që surprizoi pozitivisht strukturat evropiane, jo vetëm komisionin, por edhe vendet anëtare me përgjegjshmërinë dhe cilësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme. Për sa i përket përafrimit të legjislacionit shqiptar me “acquis communautaire”, aktet ligjore të përafruara, të shprehura në përqindje, përbëjnë 76 % të angazhimeve të ndërmarra në Planin Kombëtar të Zbatimit të MSA-së. Pas rreth 2 vitesh në fuqi të Marrëveshjes së Ndërmjetme, janë realizuar thuajse të gjitha detyrimet që rrjedhin prej saj: nga 31 detyrime janë realizuar 21 detyrime ose 68 %; janë në proces 10 detyrime ose 32 %”, - thuhet në këtë reagim zyrtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›