E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Rama ideoi përjashtimin e LSI-së nga KQZ-ja

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi dje direkt kryetarin e PS-së, Edi Rama, si ideator të përjashtimit të kësaj partie nga e drejta për të qenë e përfaqësuar në strukturat e administrimit të zgjedhjeve. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, hodhi akuza të forta në adresë të lidershipit socialist, duke premtuar nga ana tjetër se forma e reagimit të kësaj partie do të jetë një revolucion demokratik. Për të legjitimuar atë që e konsideron revolucion demokratik, LSI pritet të mbledhë sot në mesditë Konventën e Jashtëzakonshme në Pallatin e Kongreseve në Tiranë “Është pikërisht Edi Rama që i ka kërkuar Sali Berishës heqjen e LSI-së nga procesi i administrimit të zgjedhjeve të 2009-s, dhe e ka vendosur këtë si kusht për dhënien e votës së PS-së për Kodin Zgjedhor. Kjo kërkesë që Rama i ka bërë Berishës nuk shkon në interes të bashkimit dhe mundjes së Berishës, por vetëm në interes të prishjes së zgjedhjeve, manipulimit të tyre dhe përfitimeve të jashtëligjshme nga vota e partive që përjashtohen nga procesi”, - deklaroi Dritan Prifti, duke shtuar se Edi Rama po shkëputet çdo ditë dhe më shumë nga dëshira e shumicës dërmuese të anëtarëve të PS-së, për të realizuar një bashkim të fuqishëm kundër Sali Berishës dhe kastës së tij.

Megjithatë, dita-ditës, ndërsa mediat vijojnë të zbardhin formulat e përzgjedhura nga Komision i Reformës Zgjedhore për administrimin e zgjedhjeve, aq më të ashpra bëhen deklaratat dhe qëndrimet e LSI-së. Nënkryetari i LSI-së, Prifti, premtoi revolucion të furishëm në emër të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ne do jemi të gatshëm t’i përgjigjemi vullnetit të popullit për t’u vënë në krye të një revolucioni të furishëm demokratik në vend, për të rikthyer liritë, të drejtat dhe votën e lirë të nëpërkëmbura nga Berisha dhe Rama”, - shtoi më tej Prifti. Formula e publikuar tashmë e kthen KQZ-në në versionin e saj fillestar me shtatë anëtarë, ndërsa risia e saj është se pas 178 vjetësh, tashmë e tutje ky institucion nuk do të jetë më mollë sherri mes dy kampeve politike. Problemi nuk është më të dy partitë e mëdha, të cilat i kanë dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të tyre, si për numrin e anëtarëve, ashtu edhe për drejtimin e tij, por tek dy anëtarët që duhet të vijnë nga dy parti të vogla majtas dhe djathtas, të cilat natyrisht që duhet të marrin miratimin e dy grupeve parlamentare të PD-së e PS-së. Edhe kësaj çështjeje, dy partitë e mëdha i kanë dhënë zgjidhje nga ana e tyre, në mënyrë që të mos krijonin qejfmbetje. Emri do të vijë nga partia e dytë majtas dhe djathtas. Nga kjo formulë PD nuk ka hasur asnjë problem. Përplasjet janë krijuar nga e majta. Bazuar në këtë formulë, i takon PSD-së së Gjinushit të ketë anëtarin e radhës, sepse ai ka një përqindje votash më të mëdha se LSI në zgjedhjet e 2005-s, por LSI këtë rezultat e mbështet te “megadushku”, ndërsa i kujton Gjinushit zonat e humbura në 2007 dhe rezultatin prej 3% në këto zgjedhje. Sa për veten, LSI thotë se nuk është përfshirë në fenomenin e “megadushkut”, madje nga ky fenomen i janë marrë edhe 10 deputetë. “LSI është forca e vetme politike që nuk u bë palë me procesin e “megadushkut” në zgjedhjet e vitit 2005, përkundrazi depozitoi në Kuvend një formulë “antidushk”, të cilën për fat të keq PS nuk e pranoi. LSI është forca e tretë politike në vend që nuk kontestohet nga askush brenda dhe jashtë Shqipërisë. LSI është në Kuvend vetëm me votat e saj, pavarësisht se “dushku” i vodhi asaj padrejtësisht të paktën 10 deputetë”, - përfundoi Prifti. Deri më tani LSI ka paralajmëruar protestë në rrugë, bllokim të Kuvendit, por e gjithë strategjia që do të ndiqet do të vendoset sot në Konventën e Jashtëzakonshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›