E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja ku do të demontohen municionet e tepërta

Në Kuvend ka mbërritur projektligji i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili përcakton tetë poligone, vende për demontim, për të shkatërruar municionet e rrezikshme në Shqipëri. Në projektligj, ministria ka përcaktuar vendet se ku do të asgjësohen municionet. Ato do të jenë në Pukë, poligoni Livadhet e Hamzit, në Bizë, poligoni Shën Noi Madh, në Librazhd, poligoni Zgarë, në Gramsh, poligoni i Shën Mirës, në Skrapar, poligoni Përroi i Bigazit, në Voskopojë, poligoni Fushë Roshaj, në Këlcyrë, poligoni i Trajlarit dhe në Sukth të Durrësit, poligoni Jubë. Në nenin pesë të projektligjit thuhet se sipërfaqja e territorit të poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura gjatë periudhës së asgjësimit të tyre, do të administrohen nga Ministria e Mbrojtjes. Vetë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, u shpreh se demontimi do të bëhet në mënyrë të kontrolluar. “Ka një plan veprimi, i cili është bërë publik në muajin korrik të vitit 2008, një plan-veprimi, i cili është përgatitur nga ekspertët më të mirë shqiptarë, nën asistencën e ekspertëve të huaj, një plan veprimi, i cili ka filluar të implementohet dhe fatmirësisht të suportohet edhe nga partnerët e huaj. Plani është konkret dhe parashikon që brenda vitit 2010, rreziku të reduktohet në zero”, - tha gjatë intervistës në “Mediasat” Oketa, i cili shtoi se këto qendra të kontrolluara janë të pozicionuara në “dy kombinatet kryesore, në Mjekës dhe Poliçan, si dhe po shihet mundësia që të përdoret edhe nga fabrika (kombinati) e Gramshit, të merret me këtë aktivitet, por me kalibrat e vegjël, që janë më pak të rrezikshëm”. Sipas projektligjit, ndalohet realizimi i asgjësimit të municioneve në det, jashtë kufirit shtetëror dhe jo më afër se 4 km nga instalimet e shpimit dhe të shfrytëzimit të naftës nga qendrat e banuara, rezervuarët, digat dhe vendet me rezerva të burimeve nënujore, monumentet e natyrës dhe ato të kulturës, si dhe në zonat e tyre të mbrojtura në korridoret e hyrjes e të daljes së aviacionit civil, në hapësirat ajrore të vendit. Për dëmet e shkaktuara si rrjedhojë e asgjësimit të municioneve kompensohen, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sipas marrëveshjes, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe palëve të dëmtuara. Dëmet që i shkaktohen mjedisit, si pasojë e asgjësimit të municioneve luftarake, rimbursohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Njësitë përkatëse të FA-së, 30 ditë përpara zhvillimit të asgjësimit të municioneve, njoftojnë organet e qeverisjes vendore në territorin e të cilave shtrihet poligoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›