E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-pronarët e tokës së 80 mijë ndërtimeve pa leje, kompensim financiar

Ish-pronarët e tokës në të cilën është ndërtuar pa leje do të përfitojnë kompensim financiar dhe kjo do të ndodhë paralelisht me legalizimin e ndërtimeve me leje. Zyrtarët e Agjencisë së Legalizimeve konfirmojnë për gazetën se asnjë leje legalizimi nuk do të jepet pa u kompensuar ish-pronari i ndërtimit. Procesi i legalizimit pritet të nisë brenda pak javësh dhe pritet që një vendim i qeverisë t’i hapë rrugën këtij procesi. Çdo leje legalizimi do të shoqërohet edhe me kompensimin financiar të ish-pronarit të tokës. Agjencia e Legalizimeve ka nisur tashmë hartimin e listave të të gjithë ish-pronarëve të tokës ku është ndërtuar pa leje. Ligji detyron këtë agjenci të evidentojë ish-pronarët e tokës. Aktualisht janë rreth 200 mijë leje legalizimi, të cilat priten të jepen nga kjo agjenci. Evidentimi paraprak ka nxjerrë se një e treta e këtyre ndërtimeve pa leje janë ndërtuar në tokën e ish-pronarëve, çka rezulton paraprakisht se bëhej fjalë për një shifër që shkon deri në 80 mijë ndërtesa pa leje në tokë të huaj. Ish-pronarët e truallit të këtyre ndërtimeve do të përfitojnë menjëherë, pasi ligji i ri i legalizimeve, i miratuar me zhurmë pak muaj më parë, sanksionoi që brenda tre muajve nga dhënia e lejes së legalizimit, ish-pronari do të përfitojë paratë e kompensimit financiar të tokës së tij. Lista e ish-pronarëve ende nuk është gati, por paraprakisht bëhet fjalë për dhjetëra-mijëra ish-pronarë, të cilëve u është marrë toka për ndërtime pa leje. Madje, në disa raste, vetëm në tokën e një ish-pronari mund të jenë ndërtuar disa ndërtime pa leje.

Procesi

Lejet do të jepen paralelisht në të gjithë vendin. Agjencia e Legalizimeve do të nisë brenda pak javëve dhënien e lejeve të legalizimeve në disa qytete të vendit. Por në Tiranë, lejet e para do të jepen për zonat më problematike, në Bathore dhe në Kodër-Kamëz. Një nga arsyet bazë që këto zona do të marrin lejet e para është fakti se janë ndërtuar në tokë shtetërore. Një zonë, e cila do të përfitojë e para lejet, do të jetë edhe Këneta në Durrës, e gjitha informale. Në bazë të verifikimeve, ka përfunduar dokumentacioni tekniko-ligjor për 12 zona në Tiranë. Gjithsej bëhen rreth 200 mijë ndërtime informale në të gjithë vendin, që do të marrin lejet e para dhe mbeten për t’u verifikuar më tej 150 mijë ndërtime të tjera. Legalizimet do të prekin edhe qytetet e Vlorës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës etj. Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, proces, i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilave janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katror, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Taksa do të paguhet në llogari të bashkive dhe komunave ku ndodhet objekti pa leje. Fondi i saj që do të krijohet, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike dhe realizimin e tyre në këto territore informale, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Të dhënat paraprake tregojnë se një e treta e ndërtimeve pa leje janë mbi tokë private të personave të tretë, ndërsa pjesa tjetër janë mbi tokë shtetërore, si dhe mbi tokë private. Aktualisht, numërohen mbi 200 mijë ndërtime informale të deklaruara, të cilat kanë gati dokumentacionin tekniko-ligjor, nga të cilat rreth 80 mijë janë ndërtuar mbi truallin e personave të tretë, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim. Hartimi i kësaj liste, që parashikohet të jetë rreth 80 mijë ish-pronarë, do të kalojë në Këshillin e Ministrave. Më pas, qeveria brenda afatit ligjor prej 30 ditësh do të miratojë listën, duke ia kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila do të dëmshpërblejë brenda këtij viti të gjithë këta ish-pronarë. Nga ana tjetër, miratimi i planit të zhvillimit të zonave bregdetare ka bërë të mundur që Agjencia e Legalizimeve të nisë në terren verifikimin e të gjitha objekteve.

Banorët e pallateve me shtesa përfitojnë falas banesat

Qytetarët që jetojnë në shtesa pallatesh pa leje nuk do të kenë asnjë detyrim financiar për të paguar për legalizimin e apartamentit të tyre. Zyrtarë të ALUIZNI-t bëjnë me dije për gazetën se janë afërsisht 400 pallate me shtesa të jashtëligjshme, të cilat po procedohen me dokumentacionin. Banorët që kanë blerë këto apartamente do të paguajë vetëm taksa simbolike, si ajo e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa për detyrimin e legalizimit dhe hipotekimit të tyre, shoqëria e ndërtimit do të paguajë të gjithë shumën që kërkon ligji. Sipas ligjit, qytetarët që banojnë në këto shtesa pallatesh janë të mbrojtur, ndërsa ndërtuesit e pallateve pa leje apo shtesave, do penalizohen në rast se nuk paguajnë detyrimin. Sipas ligjit, e vetmja përgjegjësi e qytetarit është që të shkojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për ta regjistruar atë. Bëhet e ditur se rreth 150 pallate dhe shtesa pa leje janë bërë gati, ndërsa pjesa tjetër pritet të jetë gati në ditët në vijim. Detyrimi që ndërtuesit kanë për të paguar ndaj shtetit për shtesat pa leje është përcaktuar me formulën e përcaktuar nga Shoqata e Ndërtuesve me Drejtorinë e Tatimeve, për zona të ndryshme të Tiranës dhe për zona të ndryshme të Shqipërisë. Përcaktohet 4 për qind për banesat, 10 për qind për banesat sociale, nëse ka ndryshim destinacioni, 20 për qind.

Në dhjetor ndahen 5 milionë dollarët për ish-pronarët

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka bërë të ditur se në muajin dhjetor do të bëhet ndarja e 5 milionë dollarëve si kompensim financiar për ish-pronarëve. Kriteret e përfitimit do të jenë: ata që nuk kanë përfituar ndonjëherë kompensim, kush ka aplikuar më parë për kompensim apo kthim, si dhe kompensimi do të jetë deri në 200 metra katrorë. Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007, dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, do të shqyrtojnë dokumentacionin e subjekteve, që kërkojnë kompensim. Kjo zyrë do të verifikojë dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›