Akuzat e raporterit Dik Marti ndaj Thaçit dhe UÇK-së, Berisha: Të pabaza dhe anësim i qartë politik- abuzim i rëndë me autoritetin e KiE
Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, e cilësoi tërësisht të pabazuar raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili lidh kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi me krimin dhe trafikun e organeve njerëzore. Sipas zotit Berisha, raporti nuk është i bazuar në asnjë fakt, evidence apo realitet çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës. Këtë reagim, Berisha e paraqiti gjatë takimit që pati me drejtorin e përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në Këshillin e Europës, Jean Louis Laurens. Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha e cilësoi si shumë të mirë bashkëpunimin me Këshillin e Europës dhe ndihmën e kontributin që ky institucion prestigjioz i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë, në konsolidimin e demokracisë në të gjitha drejtimet. Drejtori Laurens nga ena e tij uroi kryeministrin Berisha për arritjen historike, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, duke vene ne dukje se Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe. Në këtë takim, por edhe në atë që kryeparlamentarja Topalli pati me drejtorin Laurens, u diskutua gjithashtu mbi situatën politike dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh, siç është edhe rinovimi i marrëveshjes së prezencës së Këshillit të Europës në Tiranë. Ata biseduan edhe për përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shumta dhe u vlerësua lart fakti që nuk ka pasur asnjë viktimë dhe se qeveria iu gjet pranë me shërbim mjekësor dhe shërbime të tjera qytetarëve të prekur nga kjo situatë.
...