E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat ndaj medias/ Kasmi, pretendim jashtë realitetit

Nga Dritan Ikonomi

Zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Bujar Kasmi, i ftuar nga televizioni Top Channel, në emisionin "Talk Show" të së hënës në mbrëmje, për të folur lidhur me shfaqjet e fundit të dhunës, i hodhi pjesën më të madhe të fajit medias, për përgatitjen e keqe që u bën ndeshjeve të kampionatit. Sipas shpjegimit të Kasmit, media ndikon në nxitjen e akteve të tilla, për shkak të atmosferës së nxehtë që krijon. Është një pretendim krejtësisht i pavërtetë dhe i pavend nga ana e zëvendëspresidentit të federatës, i cili ngatërron dukshëm rolin që ka media. Media pasqyron dhe ajo cka shihet në të është thjesht një pasqyrim i realitetit ekzistues. Një vështrim i shpejtë në organet e medias shqiptare mjafton për të parë në të shumë pisllëk neveritës, por atë nuk e krijon media. Shpeshherë ka teprime, sikurse ka edhe zbutje të realitetit, por kryesorja është që ky realitet ekziston dhe pasqyrohet në media me gjithë shëmtinë e tij. Në vend që të fajësojë median, zëvendëspresidenti Kasmi duhet ta falënderojë atë. Së pari, sepse pikëpamjet e tij dhe shpjegimin vërtet të drejtë që i bëri dhunës si një dukuri sociale, Kasmi nuk i bëri me megafon në sheshin Skënderbej apo nga dritarja e federatës, por nëpërmjet kamerave dhe mikrofonëve të një mjeti të komunikimit masiv të respektuar. Së dyti, media ka paralajmëruar. U shkruajt e u fol për kontestimin që përfaqësuesit e Burrelit i bënë gjyqtarit Sopjani, cka ishte një sinjal që atmosfera po nxehej dhe Kasmi, personalisht e institucionalisht, mund e duhej të kishte vepruar për të shmangur atë që ndodhi. Së treti, nuk ka mbetur organ i medias pa ulëritur në kupë të qiellit ditët e fundit, duke dënuar ashpër dhunën e shfaqur e duke kërkuar hapur marrjen e masave të ashpra, për të mos parë më mjerim të tillë në të ardhmen. Kasmi iu referua si aleate medias kur ishte fjala për luftën që FSHF ka bërë kundër dhunës në këtë sezon. Është një e drejtë legjitime e kujtdo, por në radhë të parë sy e veshë për të parë e dëgjuar duhen atëherë kur bien kambanat e alarmit, pastaj për korin festiv të lëvdatave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›