Mainc në gjurmët e Edmond Kapllanit

Gjysma e ekipeve të Bundesligës gjermane janë në kërkim të shërbimeve të dy sulmuesëve të Karlsruhes: Xhovani Federiko (tetë gola) dhe Edmond Kapllani (shtatë). Kështu shkruhet në sajtin rhein-zeitung.de. Dy futbollistët kryesojnë klasifikimin e golashënuesve të Bundesligës 2, ndërkohë që Karlsruhe kryeson renditjen. Gazeta gjermane hedh dhe hipotezën e kërkimit të sulmuesit shqiptar nga Mainz i Bundesligës së parë, në rast se Karlsruhe do të dështojë në ringjitjen e saj. Në ndeshjen e fundit Mainc humbi 4-0 me Shalke 04 dhe skuadra e trajnerit Klop duket se ka vështirësi të mëdha në shënimin e golave, kur në 12 javë ka realizuar vetëm 10 gola (24 të pësuar). Mainc renditet në vendin e fundit me 8 pikë (1F, 5B, 6H) dhe është potencialisht i rrezikuar për të rënë në Bundesliga 2. Në tre vendet e fundit janë dhe Hanover i kapitenit shqiptar Altin Lala (10 pikë) dhe Bokum (9 pikë).