Tirana në dorë të Shkëlqim Muçës, asnjë kandidat tjetër

Tirana në dorë të Shkëlqim Mucës, të paktën deri në fund të këtij viti, që do të thotë se sekretari i klubit do të drejtojë skuadrën deri në javën e 17-të, kur mbyllen dhe takimet e këtij viti, takim që përkon me ndeshjen Apolonia-Tirana.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Muca, që shtoi se donatorët kanë vënë këtë afat për emërimin e trajnerit të ri, pavarisht se trajneri i komanduar shtoi se tekniku i ri mund të vijë edhe më parë. "Për momentin nuk kemi kontakte me asnjë kandidat. Madje edhe pse në shtyp përmenden emrat e Menikinit, Dajës apo ndonje tjetri dua të them se nuk kemi patur kontakte me askënd". Kandidaturat, që shpresohen se do të jenë më të mira se ajo e Mirel Josës së shkarkuar, do të studiohen dhe pastaj do të përzgjidhet më i miri.
Sfida e parë e Mucës, në krye të Tiranës do të jetë ajo kundër kampionit në fuqi, Elbasani. Ndeshja e fazës së parë midis dy ekipeve përfundoi në barazim 2-2. Tirana kryeson kampionatin me 22 pikë, ndërsa Elbasani renditet i treti me dy pikë më pak, 20. NJë fitore e Elbasanit në Tiranë, ashtu sic ka përfunduar edhe ballafaqimi i tyre i fundit në kryeqytet do të përmbyste pozicionet.