E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Tirana Cup 2006", një risi në Minifutbollin shqiptar

Gjatë orarit zyrtar, ata i ke të kollarisur, me kravata e kostume të shtrenjta, duke inspektuar ligjshmërinë e subjekteve të biznesit, duke mbikqyrur ecurinë e kredive të dhëna, duke u kujdesur që puna të ecë mirë, duke pritur e përcjellë klientët, e të tjera e të tjera. Ndërsa pasdite, të gjithë të veshur me uniforma ku spikatin ngjyrat dhe elementët që reflektojnë kompanitë, bankat apo institucionet shtetërore ku ata punojnë, ata i ke në fushat e minifutbollit të kompleksit të Pishinave në kryeqytet, duke luftuar, pavarsisht fizikut mbase të pazakontë dhe rangut zyrtar që mbajnë, si të barabartë për suksesin e skuadrës së tyre. Është pikërisht kjo metamorfoza që do të mundësohet nga turneu i futbollit "Tirana Cup 2006", i organizuar nga Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sporteve, i cili nis sot pasdite me pjesëmarrjen e 12 skuadrave që përfaqësojnë 12 kompani apo institucione të ndryshme.
Këto 12 skuadra, janë ndarë në dy grupe dhe, më konkretisht, në grupin A është skuadra e "Western Union", ajo e Ministrisë së Financave, ajo e "AMC"-së, ajo e "Union Bank", ajo e "Raiffeisen Bank" dhe ajo e "DHL"-së, ndërsa në grupin B, shorti ka vënë përballë njëra-tjetrës skuadrat e "Stihl & Viking", Bankës së Shqipërisë, BKT-së, Bankës Popullore, Bankës "Procredit" dhe atë të Doganave. 6 skuadrat e cdo grupi do të ndeshen me njëra-tjetrën, nga një herë, dhe, në përfundim të fazës së ndeshjeve në grupe, dy të parat e cdo grupi, do të vijojnë më tej në fazën me eliminim të drejtëpërdrejtë të gjysmëfinaleve dhe duke kulmuar me finalen e kësaj veprimtarie, e cila synon të bëhet një traditë në sportin shqiptar. Nga organizatorët, janë marrë të gjitha masat për një zhvillim sa më normal dhe të rregullt të ndeshjeve, ndërsa nga ana e tyre, pjesëmarrësit kanë premtuar një seriozitet maksimal.
Ajo që e bën këtë veprimtari më interesante nga të tjerat, është se në përbërjen e këtyre skuadrave do të jenë zyrtarët më të lartë të këtyre kompanive, institucioneve apo bankave, cka nënkupton se, në fushën e blertë, tifozët kanë mundësi të shikojnë figura të njohura të qeverisë, drejtorë bankash apo kompanish, të cilët i gjen rëndom nëpër emisionet televizive apo nëpër faqet e gazetave, duke diskutuar për cështje madhore dhe serioze. Ndeshjet e fazës së grupeve të kësaj veprimtarie nisin sot, duke vijuar në cdo mesjavë, domethënë, ndeshjet e ditës së dytë do të luhen më 21 dhe 22 nëntor 2006, ato të ditës së tretë më 28 dhe 29 nëntor 2006, ato të ditës së katërt më 5 dhe 6 dhjetor 2006 dhe ato të ditës së pestë, më 12 dhe 13 dhjetor 2006. Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 16 dhjetor 2006, ndërsa finalja luhet më 20 dhjetor 2006.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›