Presidenti Topi: Uroj shqiptarët në këtë ditë të rikthimit të dialogut
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u uruan sot Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë duke vizituar në fillim Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë. Presidenti Topi i shprehu Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe mbarë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, kudo ku ata jetojnë, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve ortodokse. “Dëshiroj së pari të uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë për këtë ditë të madhe, për këtë ditë të ringjalljes në të gjitha kuptimet e fjalës, të rikthimit te besimi, të rikthimit tek optimizmi, të rikthimit te dialogu, të rikthimit te jeta”, uroi Topi. Ai shprehu besimin se është një ditë që na motivon të gjithëve të japim një mesazh të tillë.