E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për Vokshin, Sajmir Tahiri dënohet me 33 milionë lekë gjobë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 25-10-2011 13:13

Tiranë Gjykata e Tiranës dënoi dje me gjobë deputetin e Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, i akuzuar nga deputetja Albana Vokshi për shkaktim dëmi. Sipas vendimit të gjykatës, Tahiri duhet t’i paguajë Vokshit shumën prej 3.3 milionë lekësh të rinj për dëmin moral që i ka shkaktuar me deklaratat publike, që sipas gjykatës janë të pavërteta. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Asim Vokshi, i cili gjeti fajtor deputetin Tahiri për disa deklarata të bëra ndaj deputetes Vokshi, për përfitime koncesionesh dhe afera të tjera që sipas tij, deputetja ka përfituar nga pushteti. Padia e deputetes së PD-së kishte të bënte me dëmin moral dhe cenimin e personalitetit që i kanë shkaktuar këto deklarata të bëra në vazhdimësi nga deputeti Tahiri. Informacionet e përhapura nëpërmjet këtyre deklaratave publike të bëra nga Tahiri, sipas Vokshit kanë qenë tërësisht të pavërteta, duke i shkaktuar asaj dëm moral. Gjatë procesit gjyqësor që zgjati për rreth 15 seanca, deputeti Tahiri nuk ka mundur të vërtetojë akuzat e adresuara ndaj Albana Vokshit, duke u shpallur kështu fajtor nga shkalla e parë. Pas deklaratës së Vokshit, ku pretendoi në media se ish-kryebashkiaku i Tiranës i ka kërkuar bashkëjetuesit të saj 20 për qind të vlerës së investimit për dhënien e një leje ndërtimi, një sërë deputetësh të opozitës hodhën akuza publike ndaj saj. Deputetët akuzuan Vokshin se ajo dhe bashkëjetuesi i saj kanë përfituar në mënyrë të padrejtë tendera dhe koncesione, falë lidhjes së tyre me pushtetin. Në shtator të vitit të shkuar Albana Vokshi iu drejtua Gjykatës së Tiranës, ku paditi për shkaktim dëmi 9 deputetë të Partisë Socialiste, të cilët sipas saj kishin shpifur duke i shkaktuar asaj dëm moral dhe cenim të dinjitetit. Gjykata e Tiranës është shprehur pak kohë më parë edhe për çështjen me të paditur deputetin Eduart Shalsi, i cili është dënuar me 10 milionë lekë gjobë për akuzën e “shkaktimit të dëmit nëpërmjet deklaratave të pavërteta”. Aktualisht, në Gjykatën e Tiranës vazhdojnë proceset gjyqësore me paditëse Albana Vokshin dhe të paditur deputetët: Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Eltar Deda, Vasilika Hysi, Artan Gaçi, Erion Braçe dhe Taulant Balla. Të gjithë deputetët e paditur nga Vokshi akuzohen prej saj për shkaktim dëmi nëpërmjet deklaratave të pavërteta. Tashmë, deputetja e PD-së ka mundur të fitojë gjyqin me dy kolegë të saj socialistë, deputetët Shalsi e Tahiri, të cilët duhet t’i paguajnë Vokshit në total shumën prej 43 milionë lekësh të vjetra për dëmin që i kanë shkaktuar nëpërmjet deklaratave publike, të cilat nuk kanë mundur t’i vërtetojnë në gjykatë. Çështja është dërguar në Apel nga deputetët e dënuar, të cilët kanë zgjedhur të vazhdojnë betejën gjyqësore me kolegen e tyre demokrate.

Reagon Tahiri: S’do më mbyllin

gojën të them të vërtetat

Pas vendimit të gjykatës, që e dënon atë për shpifje, deputeti socialist, Sajmir Tahiri ka thënë se asgjë nuk do ta ndalë të thotë të vërtetat që shqiptarët duhet të dinë për qeverinë. “U njoha nëpërmjet mediave mbi vendimin që ka marrë gjyqtari Asim Vokshi, në lidhje me padinë që ka bërë ndaj meje deputetja Albana Vokshi, pse e akuzova se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar nga koncesionet. Nuk jam njohur ende me vendimin dhe as me arsyetimin e tij, por sigurisht nuk prisja që kërcënimi i Jozefina Topallit në seancën e kaluar do kthehej kaq shpejt në vendim gjykate”, - thotë Tahiri. Ai ka shtuar se uron që gjyqtari Vokshi të ketë arritur me sukses të sqarojë se në cilën pjesë të deklaratave të tij nuk ka thënë të vërtetën. “Një gjë është e sigurt, jo Albana Vokshi, e cila është vetëm një copë e vogël e dhjamit të pushtetit, por as Jozefina Topalli e as Sali Berisha dhe pushteti i tyre i krimbur, nuk do arrijnë dot të më mbyllin gojën duke më ndaluar të them të vërtetat që shqiptarët duhet të dinë për këtë qeveri”, - tha Tahiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›