Akuzat për korrupsion, kryeministri izraeilt jep dorëheqjen
Aleatë e kundërshtarë politikë të kryeministrit izraelit, Ehud Olmert, kanë shprehur mbështetje për vendimin që ai bëri publik dje për të dhënë dorëheqjen nga posti në muajin shtator.
Olmert tha se do të ishte më e lehtë për të që të vetëmbrohej ndaj akuzave për korrupsion larg vëmendjes së opinionit publik.
Ministrja e Jashtme, Tzipi Livni, që është favorite për ta pasuar atë në post, tha se vendimi i z. Olmert kishte qenë i vështirë për t'u marrë, por ishte ai i duhuri.
Partneri kryesor i z. Olmert në kolaicionin qeverisës, udhëheqësi laburist, Ehud Barak, e cilësoi vendimin e dorëheqjes së tij si të përgjegjshëm.
Politikanë të tjerë ndërkohë, thanë se ai ishte rezultat i pashmangshëm i një udhëheqje të dobët.
Vendim 'i pashmangshëm'
Deri tani, Ehud Olmert ishte konsideruar si mbijetuesi i madh i politikës izraelite.
Ai shihej si udhëheqësi që më parë, kishte mposhtur skandale politike dhe pretendime të cilat do t'i kishin fundosur udhëheqësit e tjerë.
Por kritikat e reja për udhëheqje të dobët dhe pretendimet e dëmshme për korrupsion, bënë që veterani 62 vjeçar i politikës të përkulej para së pashmangshmes.
Duke njoftuar se nuk do të kandidonte në zgjedhjet drejtuese të partisë së tij Kadima në muajin shtator, z. Olmert tha se do ta linte postin e kryeministrit që në momentin kur do të zgjidhje udhëheqësi i ri i saj dhe të niste procesi i formimit të qeverisë.
Procesi paqësor
Z. Olmert tha se do të vazhdonte të punonte deri në ditën e fundit në detyrë në disa fronte: me autoritetin palestinez dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë me Sirinë, për të arritur paqe në rajon.
Dhe një negociator i lartë palestinez ka hedhur poshtë pretendimet se dorëheqja e z. Olmert, do t'i dëmtonte shanset për paqe me Izraelin.
Saeb Erekat, këshilltar i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, tha se palestinezët do t'i vazhdonin përpjekjet për arritjen e një marrëveshje brenda vitit.
Ai tha se palestinezët kërkonin të bënin paqe me gjithë izraelitët, jo me një person të vetëm.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se adminisitrata e Bushit ishte e gatshme të punonte me cilindo udhëheqës izraelit në kërkim të paqes. (BBC)