Propozimi, elitarët me "Superliga Abisnet"
Kompania më e madhe e internetit në Shqipëri, ABISNET, i ka propozuar Federatës Shqiptare të futbollit që të sponsorizojë superligën shqiptare. Një nismë e tillë na kujton sponsorizime të këtij lloji në Seria A, me "TIM", apo në Premier Ligë, me "Barclays". Drejtuesit e kompanisë në fjalë e kanë bërë zyrtare tashmë kërkesën e tyre pranë institucionit qendror të futbollit shqiptar, të shoqëruar edhe me kriteret e sponsorizimit dhe logot përkatëse për superligën shqiptare. Ideja është që kampionati i më të mirëve në vendin tonë, ai i kategorisë superiore, nëse konkretizohet marrëveshja e bashkëpunimit dhe sponzorizimit mes palëve, të quhet "Superliga Abisnet". Mesa merret vesh, pala-sponsorizuese, në këmbim të këtij lloji marketimi të produktit të saj, në logon e superligës shqiptare, në stadiume, në fanellat e futbollistëve të kësaj kategorie, etj., afron kuota mjaft të kënaqshme sponsorizimi financiar për skuadrat pjesëmarrëse, për klubet dhe drejtuesit e tyre, por edhe për vetë FSHF-në, si organizatore e garës. Nuk mund të flitet ende për terma financiare të sponsorizimit të Abisnet-it, pasi për momentin ideja dhe kërkesa është depozituar pranë FSHF-së, ndërkohë që pret reagimin e kësaj të fundit. Më pas, në varësi të bërjes realitet të propozimit të Abisnet-it, palët në fjalë do të saktësojnë edhe gjëra të këtij lloji, deri në detajet më të vogla.