E Diel, 1 Nëntor 2026

“Akuzat për minierën e Bulqizës, flluska sapuni si ligësia me skupin e Griseldës”

22-09-2011 / Gazeta 55

Ministri Genc Ruli i kundërpërgjigjet Edi Ramës, duke e karakterizuar atë si të pushtuar nga sindromi i humbjeve të njëpasnjëshme elektorale


Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli ka reaguar dje në lidhje me akuzat e kreut të opozitës Edi Rama për koncensionet në minierën e Bulqizës. Në një konferencë për shtyp, ministri Ruli i ka cilësuar akuzat ndaj tij si flluskë e ngjashme me skupin e Griseldës, që sipas tij nuk ndryshon as nga ligësia dhe as nga paturpësia me të cilën u shfrytëzua. Duke ka theksuar se korrupsioni nuk luftohet me mllef dhe skandale të sajuara, por me hetime serioze, që i besohen institucioneve. “Jam para jush për t’iu përgjigjur drejtpërsëdrejti atij që e konsideroj si frymëzuesin dhe regjisorin e të gjithë sulmeve që më janë bërë kohët e fundit, sidomos në lidhje me të ashtuquajturin skandal i Minierës së Bulqizës. Sigurisht, unë nuk mund të pretendoj që me këtë deklaratë do të mund të ripërsëris të gjithë argumentet dhe shpjegimet që kam dhënë për këtë çështje, duke menduar që ato, më plotë dhe më drejtë, bëhen para atyre institucioneve që kanë funksionin kushtetues për të investiguar dhe për të dhënë të drejtën. Ndërsa Edi Rama po ndjek rrugë tjetër, atë të presionit ndaj institucionit të Prokurorisë. Ai e bën këtë edhe pse e di mirë që hetimi i Prokurorisë bazohet vetëm mbi shqyrtim provash konkrete dhe faktesh, dhe jo mbi editoriale bajate e patetikë si ata që po shkruan Edi Rama kohët e fundit, apo në ligjëratat shpifëse të tellallëve të tij. Dua t’i sqaroj Edi Ramës, se korrupsioni nuk luftohet as me mllef dhe as me “skandale” të sajuara. Korrupsioni luftohet me institucione, me instrumente ligjorë dhe me hetime serioze. Dhe Edi Rama i ka të gjitha mundësitë, t’i përdorë dhe t’i shfrytëzojë këta instrumente. Por ai nuk ka motiv për ta bërë këtë. Nuk e bën, sepse Edi Rama ka historikun e tij në marrëdhëniet me institucionet që japin drejtësi. Besoj se të gjithë e kujtojmë sot, kohën kur Edi Rama e mbërtheu paniku se po i zbuloheshin skandalet në drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Në gjendje deliri siç qe, Rama shtatlartë u fsheh pas Braçes shtatvogël, dhe në vend që t’u jepte shpjegime akuzave që i bëheshin, filloi të këndojë para komisionit hetimor parlamentar. Apo kur e shndërroi në një bunker Bashkinë e Tiranës, për të asgjësuar para se të binin në dorë të komisionit hetimor të gjithë provat dhe manipuluar të gjithë shkresat dokumentare. Siguroj publikun se, shpejt do të shohë të zbardhet një herë e mirë ky gjoja ‘megaskandal’ i kromit dhe i Bulqizës. Kjo që po fryn Edi Rama si skandalin e radhës, është një fluskë qe ka si të ngjashmen e vet, vetëm skupin e famshëm të Griseldës. Nuk ndryshon shumë, as për nga ligësia me të cilën është përgatitur, as për nga paturpësia me të cilën po shfrytëzohet”, u shpreh ministri Ruli. Ai ka theksuar më tej se Rama ka hyrë në një rrugë të pashpresë që e cilëson kurs të ri por që sipas Rulit nuk ka asgjë të re por vetëm kapuçin e zi në kokë. “Je nisur drejt dështimit o politikan. Qoftë i fundit që të çlirohet edhe Partia Socialiste dhe politika shqiptare”- ka përfunduar Ruli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›