Ekonomia shqiptare i rezistoi krizës globale
“Forbes” dhe “Bloomberg” evidentojnë meritat e reformave të Qeverisë “Berisha”
Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vendin tonë, kanë qenë objekt i shkrimeve të mediave më prestigjioze dhe autoritare në botë “Forbes” dhe “Bloomberg”. Ato kanë pasur në vëmendje vizitën e kryeministrit Sali Berisha në Nju Jork dhe mesazhet që ai ka përcjellë atje. Pjesë e analizave është edhe situate politike në vend dhe aspiratat për integrim europian të Shqipërisë. Në një shkrim të posaçëm dedikuar situatës ekonomike dhe financiare në Shqipëri, “Bloomberg”, shkruan se Shqipëria vështirë se këtë vit mund të shesë bondet e saj. Në këtë shkrim, citohet kryeministri Berisha, i cili thotë se kjo vjen për shkak të situatës së vështirë ekonomike në Europë. Kreu i ekzekutivit shqiptar shprehet se programi i Bankës Qendrore Europiane për blerjen e bondeve përbën shqetësim për Shqipërinë, pasi kjo po dobëson euron. Ndërsa “Forbes”, një ndër burimet më të sakta mbi gjendjen financiare në botë, në shkrimin “Shqipëria josh biznesin amerikan, teksa sheh drejt integrimit europian”, analizon ecurinë ekonomike dhe përpjekjet e vendit tonë drejt proceseve integruese. “Forbes” vlerëson ndryshimet thellësisht pozitive në ekonominë shqiptare, kjo falë reformave fiskale të ndërmarra nga qeveria. Në këtë shkrim thuhet se kryeministri Berisha ka iniciuar dhe përkrahur reformat që lidhen direkt me tregun dhe politikat punësimit, duke i bërë ato më transparente. Po ashtu, theksohen lufta për të shpëtuar vendin nga korrupsioni. “Forbes” nënvizon se Shqipëri u bë vend anëtar i NATO-s në vitin 2009. Në këtë shkrim citohet kryeministri Berisha, i cili ka treguar se si Shqipëria ka ndryshuar gjatë viteve të fundit dhe është bërë një vend tërheqës për investitorët e huaj. Në shkrimin e saj “Forbes”, hedh një vështrim mbi situatën politike në vend, e cila lidhet direkt me aspiratën për integrim në Bashkimin Europian. Vihet në pah, kërkesat e Brukselit zyrtar për kryerjen e një sërë reformave të rëndësishme, përfshirë atë elektorale. Bashkimi Europian do të vendosë muajin e ardhshëm nëse vendi ka arritur standardet e nevojshme për të përfituar statusin e vendit kandidat, hapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë. Por “Forbes”, në këtë analizë ndalet në mënyrë të veçantë tek bojkoti për një kohë të gjatë i Partisë Socialiste. Në shkrim thuhet se socialistët, të cilët kontrollojnë 65 nga 140 vendet e Parlamentit shqiptar, i janë rikthyer jetës parlamentare dhe mbështetja e tyre është e nevojshme për miratimin e disa ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Mbetet e paqartë nëse socialistët do të mbështesin projektligjet e kërkuara dhe të domosdoshme, në funksion të procesit të integrimit europian të vendit.
...