E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit rëndojnë vetëm për zyrtarët civilë e ushtarakë

Prokuroria konfirmon mbylljen e hetimeve për Gërdecin dhe spekulimet politike me firmën TDC
Prokuroria e Përgjithshme ka saktësuar dje se ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me ngjarjen e Gërdecit, duke e cilësuar të mbyllur edhe hetimin për firmën Mihal Delijorgjit, e supozuar se ka kryer punimet në punishten e demontimit. Nga këto hetime dhe analiza, prokuroria ka sqaruar se akuzuat e vetme të ngritura prej saj, kanë qenë ndaj zyrtarëve të lartë civilë e ushtarak, duke i zhveshur nga akuzat mediatike, persona e subjekte private.
Duke ju referuar publikimit ditët e fundit të disa akteve në media, si dhe komenteve që janë bërë rreth punës së prokurorisë në ndjekjen penale, të procedimit penal nr. 3, të vitit 2008, që lidhet me ngjarjen e 15 marsit 2008 në Gërdec, Vorë, Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar se, “ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me këtë ngjarje. Kështu, për sa bëhet fjalë në media, prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarak dhe civilë, të cilët në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private, të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë”, sqaroi dje Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një njoftimi zyrtar, duke vënë theksin në faktin se, “në ndjekjen penale të këtij procedimi, është realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik”.
Prokuroria ka sqaruar edhe ecurinë e pjesës së hetimeve që kanë pasur të bëjnë me pasuritë e Mihal Delijorgjit, i cili figuron si aksioner edhe te kompania TDC. Për prokurorinë e cila ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale, duke se bllokimi i kësaj kompanie, s’ka qenë i nevojshëm.
“Prokuroria, ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale penale të nevojshme, ndaj pasurive të pandehurit Mihal Delijorgji, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve të tij në shoqëritë ku ai është aksioner”, përfundonte njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›