E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e ShBA: Emërimet në Ushtri, Gërveni u shpërblye

Në një kabllogram të zv.ambasadores Deborah Jones hidhen dyshime për ngritjen në detyrë të Kristaq Gërvenit, që negocioi marrëveshjen e ujërave me Greqinë. “Ish-shefi i Shtabit, Maksim Malaj, i ofenduar që nuk e kishin pyetur për emërimet”

Ndryshimet në rangjet më të larta të ushtrisë shqiptare, gjatë dy viteve të fundit kanë rezultuar të dyshimta në sytë e Ambasadës Amerikane në Tiranë. “Emërime në formë shpërblimi” ose shkarkime nga detyra si formë presioni, për çështje që nuk kanë lidhje me hierarkinë dhe sistemin e meritokracisë në radhët e ushtrisë shqiptare, i ka cilësuar ato numri 2 i Ambasadës, në një kabllogram të zbardhur nga “Wikileaks”. Kabllogrami që mban firmën e Deborah Jones, i dërguar në Departamentin Amerikan të Shtetit më 8 Shtator 2009, përqendrohet si fillim në rastin e gradimit të Kristaq Gërvenit, i cili ishte dhe një ndër negociatorët kryesorë të marrëveshjes së ujërave me Greqinë.

Kabllogrami i 8 shtatorit 2009

Më 2 shtator president Topi njoftoi disa ulje në detyrë dhe emërime në krye të ushtrisë shqiptare. Komandanti aktual i Komandës detare, Kristaq Gërveni, u emërua zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm, pozicion që ishte vakant që prej korrikut, kur zyrtari i mëparshëm Dushku ishte emëruar komandant i Brigadës shumëkombëshe të Europës Juglindore. Admirali Kudret Çela u emërua në vend të Gërvenit, në krye të Komandës Detare. Gjeneral-Brigade Vladimir Qiriazi u pushua nga pozicioni i shefit të Logjistikës dhe u emërua si zv.komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara. Asnjë emërim nuk u bë në vendin e lënë vakant nga Qiriazi. Përmes një njoftimi për shtyp, presidenti Topi tha se i kishte bërë këto ndryshime me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes. Disa kontakte në Ministrinë e Mbrojtjes, përfshi edhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, i thanë ambasadës se nuk kishin dijeni të mëparshme për lëvizjet. Në të vërtetë, Malaj shprehu ofendimin për faktin se nuk ishte konsultuar për këto emërime. Ndërsa Presidenti është komandant i Forcave të Armatosura dhe ka të drejtën e emërimit apo shkarkimit të kujtdo që ai dëshiron, është e pazakontë që ai të marrë këto vendime pa u konsultuar fare me ushtarakët. Disa aspekte të këtyre lëvizjeve kanë shkaktuar shqetësim. Së pari, kapiteni Gërveni po shkon në një pozicion që zakonisht i jepet një gjenerali-Brigade, admirali apo edhe më sipër. Edhe pse oficer i zoti dhe mbështetës për reformat, Gërveni nuk ndodhej në listën e këtij viti për ngritjen në detyrë. (Ekzistojnë thashetheme të pakonfirmuara se ai u shpërblye për negociatat e suksesshme me qeverinë greke për ndarjen e kufijve detarë. Marrëveshja besohet se ka ndihmuar në bindjen e Greqisë për të ratifikuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO). Gërveni do të komandojë admiralin Çela, i cili ia kalon atij me gradë. Dekurajimi i gjeneral-Brigade Qiriazit është qartazi një ulje në detyrë e tij. Burime të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes spekuluan se kjo ulje në detyrë e Qiriazit ishte ndëshkim për një çështje pronash. Prona në fjalë është stadiumi “Dinamo”, i cili është në pronësi të Ushtrisë. Burimet thonë se dikush afër Kryeministrit, Presidentit apo ndonjë ministri po përpiqet të blejë këtë pronë, por Qiriazi kishte refuzuar të firmoste kalimin e stadiumit në duart e privatëve.

Komenti i Jones

Si komandant i Logjistikës, mbështetja e Qiriazit për demontimin e armëve do të humbasë. Gjithsesi, më shqetësuese është mungesa e transparencës në këto emërime apo natyra e tyre ndëshkuese për çështje të mundshme për korrupsion. Fatkeqësisht, është praktikë e zakonshme kjo në qeverinë shqiptare, lidhur me emërimet, të cilat merren në mënyrë unilaterale dhe pa konsultim, praktikë që pengon zhvillimin e një suaze profesionistësh në shërbimin civil apo në ushtri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›