E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për shpërdorim detyre

Korçë

Debitori i bankave çon në ndjekje penale dy përmbarues
Dy përmbarues çohen për ndjekje penale nga një debitor. Ka qenë ankimi i një shtetasi që ka çuar në nisjen e hetimeve në gjendje të lirë për dy punonjësit e Përmbarimit. Burime nga policia e Korçës bëjnë të ditur se kanë nisur veprimet hetimore për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në ngarkim të shtetasve: Petrit Tabaku, 49 vjeç, me detyrë përmbarues gjyqësor në degën e përmbarimit Korçë dhe shtetasit Robert Bregu, 53 vjeç, me detyrë ekspert vlerësues në degën e Përmbarimit. I njëjti burim saktëson se hetimet kanë nisur pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Jani Lluka, i cili pretendon se Petrit Tabaku në datën 5 mars të një viti më parë, në kundërshtim me ligjin, ka bërë një ankand për sekuestrimin e pasurive të tij, të cilat ishin lënë si kolateral për një filial banke ku ai ishte debitor. Sipas Llukës, pala kreditore ka kërkuar pezullimin e ankandit, por Petrit Tabaku ndonëse ka qenë në dijeni, e ka kryer ankandin. Ndërsa për shtetasin Robert Bregu, denoncuesi pretendon se ai pas vlerësimit të një prone të tij, që ndodhet në autostradën Korçë-Bilisht, nuk ka nxjerrë vlerën reale, por një vlerë tjetër në kundërshtim me vlerat e përcaktuara për metër katror nga VKM. Por sipas të dhënave nga Zyra e Përmbarimit, shtetasi Jani Lluka ka një sërë problemesh për shkak se rezulton debitor dhe i është sekuestruar pasuria. Jani Lluka tre vjet më parë u arrestua nga policia për “mashtrim” dhe “ngritje të skemave piramidale”. Së bashku me Ilia Nikollën, ai u vu në pranga, pasi u denoncua nga të paktën 20 persona, të cilëve u kishin marrë para me fajde. Nga ana e gjykatës, të dy shtetasit u lanë të lirë me detyrimin për të shlyer të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetasve, mes të cilave edhe disa garanci pasurore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›