I kishte arrestuar kohë më parë për drogë
Korçë
Rrihet ish-polici i Antidrogës, shpallen në kërkim dy vëllezër
Një ish-oficer policie ka rënë pre e dhunës së dy vëllezërve, për shkak të detyrës që mbante kohë më parë. Burime nga policia e Korçës bëjnë të ditur se Dashnor Karanxha është sulmuar para pallatit të tij nga vëllezërit Alban dhe Klejdon Berberi, përkatësisht 24 dhe 20 vjeç. Policia thotë se Dashnor Karanxha nga Pogradeci, por me banim në Korçë, ka qenë oficer i Antidrogës në Drejtorinë Rajonale të Policisë Korçë, por dy vjet më parë është liruar nga detyra. Vite më parë ai i ka ndaluar vëllezërit Berberi për akuzën e “posedimit të lëndëve narkotike”, madje njëri prej tyre është dënuar me 8 muaj burg, por më pas ka dalë si i pafajshëm. Pas lirimit, 20-vjeçari është përplasur disa herë me ish-oficerin. Ndërkaq, polica saktëson se rreth orës 23:20 të së enjtes, ish-polici është sulmuar nga vëllezërit Berberi, teksa hynte në banesën e tij në Lagjen 16 të qytetit të Korçës. Ai ka mundur të identifikojë dy personat që e kanë sulmuan me mjete të forta. Një grup hetimor i ngritur për këtë ngjarje, ka ngritur akuzën paraprake “goditje për shkak të detyrës në bashkëpunim” dhe po punohet për kapjen e dy të rinjve. Ndërkohë 46-vjeçari Karanxha, pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Korçës, është dërguar në shtëpi.
#