"Akuzat për trukim në futbollin shqiptar, një teatër absolut"
Ishte apo jo e trukuar "X" ndeshje? Opinioni i shqiptar është që në kampionatin shqiptar trukimet janë normale. Por a është vërtet kështu?! Në fakt duhet t‘u drejtohemi organeve kompetente. Që prej dhjetorit të vitit të kaluar ekziston edhe ligji përkatës ku "paracaktimi i rezultateve konsiderohet një vepër penale", por deri tani, edhe pse akuzat e ndërsjella mes drejtuesve të lartë, lojtarëve apo ndaj gjyqtarëve nuk kanë munguar, asnjë çështje nuk ka përfunduar në gjykatë. Këtë e konfirmon edhe një ndër promotorët kryesorë të ligjit "Këmbët e pastra", prokurori Shkëlqim Hajdari. "Nëse presidentët kanë prova ose dyshime se gjyqtarët kanë arbitruar në interes personal, për shpërblime të çfarëdo lloji, t‘i drejtohen prokurorisë, u shpreh ai. Prej një viti përflitet për paracaktim rezultati, por deri më sot nuk ka asnjë lloj denoncimi për problemet dhe akuzat që lidhen me sportin. Prokuroria ka bërë shumë mirë që s‘ka nisur hetim deri më tani. Ne do të hetojmë, nëse kemi dyshime për paracaktim rezultati. Por, deri më tani ka qenë fjala e një pale, kundër një pale tjetër. Po shkohet drejt një teatri absolut. Të gjithë ata që merren me futbollin duhet të zgjohen dhe jo vetëm të merren me fjalë pa fund". Së fundmi është hapur edhe çështja e hetimit të dy skuadrave shqiptare, Tiranës e Vllaznisë, në ndeshjet e tyre në Kupat e Europës në verën e 2009-ës. "Rasti i fundit është para disa ditëve dhe kemi arritur në këtë situatë pasi komuniteti nuk u tregua i aftë të ngrinte struktura. Ambientet sportive kanë vite që flasin për paracaktim në ndeshjet e kampionatit dhe në Kupat e Europës. Prokuroria shqiptare do të japë kontribut në këtë hetim të UEFA-s. Ne jemi një vend ku agjencitë ligjzbatuese bashkëpunojnë me agjencitë e tjera dhe sigurisht që krimi i organizuar i ka kthetrat në shumë drejtime. Mundet që shumë shpejt të ketë edhe hetime, që futbollin e kanë si pjesë të përfitimeve pasurore duke shkelur rregullat".
A. Manallari
A. Manallari