Bujar Alimani: Festivali të rikthejë publikun
I pranishëm në Tiranë, regjisori shqiptar Bujar Alimani, i cili këtë radhë e ndjek TIFF-in si pjesëtar i jurisë ndërkombëtare, shprehet për detyrën e rëndësishme të festivalit për të rikthyer publikun te kinemaja. Si pjesë e botës kinematografike, njëkohësisht në korrent me festivalet e filmit në Greqi e nëpër botë, Alimani shprehet se dëshmi e rritjes së "Tirana International Film Festival" është zgjerimi me një seksion të filmit të gjatë. "Festivali ka bërë një hop të jashtëzakonshëm me seksionin e filmit artistik në konkurrim. Kjo i jep një rëndësi më të madhe dhe besoj se vit pas viti do të zgjerohet edhe më tej". Fakti që është anëtar jurie e që ka parë vetëm një pjesë të vogël të filmave, nuk e lejon të japë një mendim mbi cilësinë e prurjeve, por, sipas tij, është shumë e rëndësishme që në Tiranë vjen një pjesë e prodhimit kinematografik nga Siria, Greqia, Turqia, Gjermania, Spanja, Amerika. "Festivali përbën një mundësi shumë të mirë, që te publiku të shkojnë filma cilësorë dhe jo komercialë. Janë realizime tepër specifike, që është e vështirë t‘i gjesh nëpër transmetime televizive". Bujar Alimani i ka ndjekur edhe më parë edicionit e TIFF, në disa raste edhe si konkurrues. Ai thekson se detyra e festivaleve të tillë të filmit është grishja për t‘i sjellë njerëzit në sallat e kinemasë. Për të, ndonëse sot teknologjia ka përparuar, e ka bërë të vetën, të parit e një filmi në ekranin e madh është i pakrahasueshëm me një film që ndiqet nga televizioni. "Pres që të ketë më shumë publik, më shumë njerëz që të vijnë ta ndjekin festivalin. Publiku shqiptar duhet t‘i rikthehet kinemasë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të atyre viteve, të asaj kohe kur në kinema shkohej masivisht". Ndërsa për sa i përket prodhimit të filmit shqiptar, Alimani shprehet se deri tani ka parë vetëm filmin "Muajt e Mjaltit" të Goran Paskaljeviç, që gjithsesi ishte jashtë konkurrimit dhe kjo i ka mjaftuar të theksojë se ne kemi një produkt shumë të mirë aktorësh. "I pamë aktorët tanë ashtu siç nuk i kishim parë më parë. Kjo do të thotë që ne kemi një produkt shumë të mirë aktorësh, por që ndoshta janë shfrytëzuar keq". Filmat e gjatë në konkurrim do të gjykohen nga një juri ndërkombëtare, në përbërje të së cilës do të jetë veç Bujar Alimanit, regjisori anglez Ben Rivers, regjisori dhe skenaristi amerikan Joshua Jacob Martson, kritikja franceze e filmave Michelle Levieux dhe gazetari Nick Holdsworth.