Magani i zhgënjyer, disfata e parë në shtëpi me Flamurtarin
Humbja e djeshme me Tiranën ka qenë e para për Gugash Maganin në shtëpi, që prej periudhës kur është ulur në stolin e Flamurtarit. Tekniku peqinas zëvendësoi Memushin në pankinë në javën e pestë, e deri më tani në tri ndeshje në Vlorë kishte regjistruar një fitore dhe dy barazime. Ai nuk e ka fshehur zhgënjimin për rezultatin e kësaj sfide, e cila u karakterizua nga gabimet amatore të futbollistëve kuqezinj. "Kjo ishte humbja e parë që skuadra pësoi në fushën e saj, që prej periudhës kur jam emëruar në krye të stolit. Ishte një disfatë shumë e hidhur", tha Magani. "Skuadra u shpërfytyrua në pjesën e dytë, mbi të gjitha mund të them se asnjë nga sulmuesit nuk tregoi impenjimin e duhur. Goli i parë i Tiranës erdhi prej gabimeve tona amatore". Më tej trajneri i bëri thirrje që të ndryshojë sa më shpejt sjelljen në fushë, sepse në këtë mënyrë rrezikohet seriozisht mbijetesa: "Ishte një rezultat i paparashikuar nga ana ime. Duhet të ndryshojmë sa më shpejt, ndryshe do të mbetemi të fundit përsëri".
e. k.
e. k.