Propagandë kineze në TIFF
TIFF nuk i kushtohet vetëm kinemasë bashkëkohore, asaj që sjell tendencat e fundit. Jashtë konkurrimit, për të dytin vit, nën cilësimin "thesaret e arkivit", publikut shqiptar i sillen filma të pashfaqur për dekada me radhë. Në sallën e kinema "Imperial" dhe në sallën "Kadri Roshi" të Teatrit Kombëtar, imazhe të vjetra, në bardhë e zi apo në filma kanë kthyer jo vetëm kohën e nostalgjisë, pro edhe të filmit si një mjet i propagandës. "Gruaja meksikane" (Pueblerina) i regjisorit të njohur meksikan Emilio Fernandez, një realizim i vitit 1949, është filmi i parë i programit i nxjerrë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Thomas Logoreci, skenaristi me origjinë shqiptare, një nga selektuesit e festivalit, që është marrë me seksionin e arkivit, shprehet se kishte mbetur shumë i habitur kur në arkivin tonë kishte parë një kopje të filmit të Emilio Fernandez. "Ishte një kopje e rrallë e këtij filmi, i cili kishte subtitrim rumun. Nuk kuptova asgjë nga gjuha, por më mahnitën imazhet bardhë e zi të regjisorit të njohur. Ka shumë mundësi që ky film të jetë sjellë në Shqipëri në kohën e marrëdhënieve të mira me Bashkimin Sovjetik e ndoshta është shfaqur për punonjës të ambasadës e jo për publikun e gjerë", thekson Logoreci. Këtë mendim ia përforcon fakti që mungonte subtitrimi shqip, i cili është realizuar posaçërisht për shfaqjen në festival. "Beteja e Algjerit" nga Gillo Pontecorvo është një tjetër film i arkivit që do të shfaqet sot në mbrëmje, ora 20.00 në kinema "Imperial" dhe po në këtë kinema do të shfaqet më datën 4 dhjetor, ora 17.00, filmi "Hijet e bardha" nga Nicholas Ray, një realizim i vitit 1960, i cili, pavarësisht se erdhi në Shqipëri, asnjëherë nuk u shfaq para publikut. "Për mua ishte një befasi e madhe të gjeje të tillë filma në Arkivin e Filmit shqiptar. Janë kopje të rralla që këtu te ju janë ruajtur dhe shfaqja e tyre për mua përbën njëkohësisht promovim të një kulture shqiptare, kulture kombëtare dhe kulture kinematografike gjithashtu", vazhdon Logoreci, i cili me ndihmën e drejtorit të arkivit, Artan Minarolli, dhe punonjëses së këtij institucioni Eriona Vyshkës, ka mundur të shohë e të përzgjedhë realizime të tilla. Filma të tillë të vjetër, të pashfaqur për dekada, mbajnë edhe dëmtimet që u janë shkaktuar gjatë viteve, por për Logorecin ato janë të parëndësishme përballë vlerave që shfaqin këto realizime. "Gruaja meksikane" kishte një sërë dëmtimesh që kishin prekur edhe muzikën, por t‘i shohësh të shfaqen në ekranin e madh dhe në prani të një audience të duket sikur je në kishë. E kam përjetuar si një eksperiencë fetare, ku imazhet dhe muzika të bëjnë të shohësh përtej dëmtimeve. Unë pashë regjisorë të rinj, por edhe në moshë gjatë projektimit të këtij filmi dhe besoj se kjo do t‘i ndihmojë ata të jenë më krijues", thekson Logoreci, i cili edhe një vit më parë, përzgjodhi disa filma nga arkivi për t‘i shfaqur në kuadrin e TIFF. Pjesë e këtij programi special janë edhe tri filma kinezë, të cilët janë transmetuar në vendin tonë gjatë periudhës kur Shqipëria komuniste kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Republikën Popullore të Kinës. Revolucioni kulturor kinez do të kthehet në Tiranë me shfaqjen e këtyre filmave, tashmë në një kontekst tjetër historik, por edhe kulturor. "Lindja është e kuqe", që drejtohej prej regjisores së parë kineze Wang Ping, një realizim me ngjyra i vitit 1965, solli mbrëmjen e së dielës në Teatrin Kombëtar një përshtatje të një performance të llojit muzikal e përmasave gjigante. Mbi 3 mijë artistë kanë marrë pjesë në këtë film, në të cilin ishin të dukshme qartë skenat masive. Titulli është marrë sipas një kënge, e cila pothuajse u kthye në himn kombëtar për Kinën gjatë periudhës së revolucionit kulturor. Ai nis me këngën "Internacionalja", për të vijuar më pas edhe me 35 këngë të tjera, të shoqëruara me 24 koreografi komplekse dhe shumëngjyrëshe, që komentojnë mbi ndodhitë më të rëndësishme në historinë e Partisë Komuniste Kineze. Si një film me efekte vizuale mahnitëse, "Lindja është e kuqe" u krijonte mundësinë komunistëve shqiptarë për të promovuar dhe konsoliduar mitin e "diktaturës së proletariatit". Edhe dy filmat e tjerë "Nga fitorja në fitore" (1952) i regjisorit Cheng Yin Xiodan dhe "Duke kaluar lumin Jance" (1974), në një vend të izoluar nga ndikimet e huaja dhe ku kinemaja kombëtare ishte plotësisht e kontrolluar, i shërbente qeverisë së kohës si një mjet i fuqishëm propagande. "Ne i kemi nxjerrë nga arkivi këto realizime për t‘i shfaqur para publikut sot dhe për të kuptuar se sa dogmatike ka qenë kinemaja e sa armë e fortë në dorë të pushtetit. Menduam se do të ishte mirë t‘i vinim në vëmendje të publikut të ri", shprehet Genc Përmeti. Importet kulturore nga studiot kinematografike të Kinës përbënin një pjesë të rëndësishme të shfaqjeve në kinematë e Shqipërisë. Kjo ndodhi pikërisht gjatë vitit 1960, kohë kur orientimi i politikës së jashtme të vendit tonë nisi të shpërfaqë krijimin e një afrimiteti me Republikën Popullore të Kinës, i cili do të materializohej me kalimin e kohës në shkëmbime politike, ekonomike dhe kulturore. Ishte koha kur Shqipëria komuniste ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe kur vendin e tij e zuri Kina. U bë ajo burimi kryesor i importeve, të cilat përfshinin jo vetëm ushqime, të mira materiale dhe teknologji industriale, por edhe produkte artistike e kulturore. Mes këtyre të fundit vlen të përmenden filmat dhe produksionet e tipit muzikal, këngë dhe melodi kineze, performancë fantastike cirku, si dhe një gamë e gjerë publikimesh artizanale. Veçanti e tyre ishte se ato jo vetëm që përmbushnin kërkesat ideologjike të pushtetit komunist, por edhe kënaqnin kërshërinë e publikut shqiptar sa i përket konsumit filmik. Ndërsa për Thomas Logorecin është shumë e rëndësishme që ai pa një audiencë të përqendruar, kur në ekran shfaqeshin këto realizime, ndonëse në një atmosferë edhe pak të ftohtë të Teatrit Kombëtar. "Tashmë këto filma nuk përbëjnë më propagandë, por histori. Ato më bëjnë të mendoj se si ka qenë Shqipëria në vitet ‘60, çfarë i ofrohej publikut për të parë. Por të tjerë, kam parasysh një publik që i ka përjetuar ato kohë, i përjetojnë ende. Një mikja ime më tregoi se e ëma e saj, që dikur ishte një e re komuniste, kur i kishte parë këta filma, kishte ardhur t‘i shihte sërish me tri mikesha të saj kineze. Sapo filluan të shfaqeshin pamje të Kinës së asaj kohe ato filluan të qanin. Nuk duhet të harrojmë se njerëzit e besonin atë ideologji. Ajo është pjesë e historisë dhe ndaj ne jemi sot ende duke folur për të", thekson Logoreci. Sipas tij, Arkivi i Filmit do të duhej që për çdo ditë të nxirrte një realizim të tillë nga arkivi e ta bënte të pranishëm për njerëzit, që tashmë e shikojnë dhe e përjetojnë të distancuar.