Berisha: Dialogu për Kodin nuk e dëmton procesin, por i jep më shumë garanci
Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se ai është në favor të dialogut për Kodin Zgjedhor, duke u shprehur se zgjatja me diskutime nuk e dëmton procesin, por ai merr garanci shtesë. “Ekziston përkushtimi im i plotë dhe total për votën e lirë. Kodi do të votohet, sepse me atë grevë urie nuk kemi patur asnjë lidhje. Për mua, nëse komisioneri ishte i Gjinushit, i Ilir Metës apo i zotit Milo apo i tjetërkujt, kjo nuk kishte ndonjë dallim të madh, përkundrazi mbajta përbaltjen e grevës së urisë”, - u shpreh kryeministri Berisha.
“Nuk është e vërtetë, - vijoi më tej kryeministri Berisha, - se, nëse jepet koha e nevojshme për dialog, do të dëmtohet procesi, përkundrazi, procesi merr edhe garanci shtesë për këtë diskutim. “Unë jam neutral në këtë mes. Uroj që ata të gjejnë një mirëkuptim dhe kaq dhe nuk kam ndonjë gjë tjetër”, - u shpreh më tej kryeministri Berisha duke nënvizuar se nuk përzihet në çështjet e brendshme të opozitës.
Rama: E drejta e zgjedhjes, ende larg të qenit e garantuar
Duke folur në Ditën e përvjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave e Lirive, kryetari i PS, Edi Rama, tha se Shqipëria është një vend ku e drejta e votës nuk është e garantuar. “Shqipëria mbetet një vend ku e drejta e zgjedhjes së lirë e të ndershme është larg së qeni e garantuar dhe ku të gjithë bashkë, pa dallim, duhet të bëjmë gjithçka për ta garantuar në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, të cilat duhet ta ndajnë Shqipërinë nga zullumi i padrejtësive të përditshme të pushtetit në dëm të qytetarit dhe duhet të hapin rrugën e një Shqipërie si gjithë Evropa” - tha Rama.