PD ka nevojë të rithemelohet
Ceremonitë që organizohen për të mbajtur gjallë kujtimin e Azem Hajdarit, i gjithë ai ritual i përvitshëm përkujtimor në vendin ku ai u vra, ai fjalim pothuajse gjithmonë njësoj në grinë e përzishme pranë ndërtesës së PD, ka shumë kohë që ndodh në prani të një turme njerëzish të ndarë më dysh: ata, te të cilët mund të dallosh lehtësisht nofullat e shtrënguara fort nga dhimbja për njeriun që sigurisht e kanë dashur dhe besuar, por edhe nga një vetëkontroll aq i mundimshëm për të mos ta çliruar atë dhimbje, ashtu siç do të donin ta shprehnin në të vërtetë, për shkak të peshës së halleve të përditshme që rëndon mbi personalitetin e tyre dhe, pjesa tjetër e turmës, të shtirurit, veçanërisht të ikurit dhe të ardhurit rishtas në PD, por edhe ata që e kanë politikën për zanat, të cilët kanë ekzaktësisht hallin e kundërt, se si të mund ta tregojnë, ta bëjnë të dukshme atë dhimbje që s’e kanë, madje akoma më shumë, si të mund ta fabrikojnë atë. Më shumë se nën pushtetin e dhimbjes, të dy pjesët e turmës ndodhen nën peshën e mundimit për vetëkontroll, autocensurë, për arsye fare të ndryshme. Ajo që në fund i bashkon dhe që mbetet për ta artikuluar publikisht, pas së cilës, pavarësisht nga grupi ku bën pjesë, secili e ndjen veten të lehtësuar si pas një mundimi që merr fund, janë bisedat pa formë, gjysma-gjysma, ku secili thotë diçka si, “ja, e respektuam Azemin edhe këtë vit, por edhe familjen e tij, edhe PD. Respekti, ja çfarë i mbetet heroit pas tubimit, ja çfarë lënë në vendin e tubimit të dy palët, para se të lëshohen kafeneve. Ne prandaj mblidhemi, duket sikur thonë, se heroi ka nevojë për ne, ka nevojë për respektin që duhet “të paguajmë” për të dhe harrojnë vërtet atë më të rëndësishmen, atë që shumica e kupton mirë, por nuk e thotë, harrojnë që Azemi nuk ka nevojë për ta, përkundrazi, ata, veçanërisht politikanët, ata që fabrikojnë dhimbjen, kanë nevojë për Azemin. Dhe si një nga të vërtetat më të mëdha të këtij vendi të varfër te shtërzon për të nxjerrë demokracinë nga vetvetja, Shqipëria e tërë ka nevojë për Azemin, shumë më tepër se Azemi ka nevojë për të. Si të gjitha të vërtetat e mëdha, edhe kjo nuk thuhet, por fshihet me kujdes, veçanërisht nga politikanët. Po të tentonim të ishim më të saktë, është një e vërtetë që ka filluar të fshihet më shumë jo nga kundërshtarët politikë të Azemit, por nga partia që ai themeloi, fatkeqësisht. Kjo e bën fshehjen e kësaj të vërtete rrëqethëse, tragjike.
. . .
Kur rrëmojmë në kujtesën tonë dhe bredhim përmes fakteve të së shkuarës, ngjarjeve që janë fotografuar pa dashje, por që me siguri ndërgjegjja i ka zgjedhur apo klasifikuar spontanisht si më të rëndësishmet për të zënë një vend në shtresëzimet e kujtesës, nuk ka se si atë lum gri faktesh të mos ta kanalizojmë në një përfundim të vetëm: e gjithë jeta politike e Azemit, vetë Azemi si i tillë, na tregoi të gjithëve se si liria individuale është një kusht thelbësor për të luftuar për kauzën nga njëra anë dhe për të fituar lirinë për krejt shoqërinë nga ana tjetër. Ishte koha për të kuptuar se askush që nuk kishte fituar lirinë e tij, askush që nuk kishte bërë copë e grimë prangat e frikës dhe autocensurës, nuk mund të rreshtohej në beteja të mëdha për demokraci dhe aq më shumë, nuk mund të luftonte për lirinë e të tjerëve. Ky shpirt i themeluesit të PD u derdh dhe u ngurtësua në fletët e programit të partisë, në strukturat e saj, në zgjedhjen e njerëzve, pra, formëzoi të gjithë veprimtarinë politike të partisë. E gjithë partia punonte për lirinë, duke e ditur që liria do ta rriste atë, do të zgjeronte bazën popullore të saj, do të ndryshonte vendin më së fundi. Dhe askujt në atë kohë nuk mund t’i shkonte mendja që ashtu pa kuptuar, përmes ndryshimeve që është e vështirë t’i identifikosh, t’i prekësh, përmes ndryshimeve që ndodhin gjithmonë nën atë që duket, nën atë që njerëzit shpallin, të mund të detyronin PD t’i largohej këtij parimi të madh: kultivimit të lirisë. Në vend të njerëzve të lirë që luftojnë për përhapjen e lirisë, që konkurrojnë dhe e përdorin lirinë për të ndërtuar vendin e tyre, sot PD promovon lista, me rreshtime siluetash, jo emrash, jo individualitetesh, lista njerëzish pa fytyrë, pa mimikë, lista hijesh, që priten të shndërrohen nga silueta në persona, të shfaqen për të tjerët, më vonë, pasi të marrin dritën e nevojshme nga kryetari i partisë, sigurisht. Lista nuk është si njeriu, aq më shumë si njeriu i lirë. Prandaj, për listën nuk aplikohet asgjë nga ato që aplikohen për njeriun, aq më shumë për njeriun e lirë. Lista nuk ka ndërgjegje, lista nuk ka keqardhje, nuk ka vullnet, nuk ka dëshirë për të luftuar, nuk ka qëllime. Lista është statistikë, shifra. Akoma më thjesht, si figura në ekranin e TV që përbëhet nga një numër shumë i madh pikash pa kuptim në vetvete, por që e fitojnë kuptimin vetëm kur formojnë siluetën, figurën televizive, edhe lista përbëhet nga siluetat pa kuptim në vetvete, pa personalitet, që marrin vlerë, vetëm kur janë së bashku, vetëm kur bëhen listë. Njerëzit rreth e rrotull njohin listën, vetëm listën dhe siluetat apo hijet që janë brenda saj marrin vlerë, vetëm sepse janë brenda saj, vetëm sepse janë në listë. Asgjë tjetër nuk ka vlerë. Mund të jesh i paaftë, mediokër, mund të jesh ish- denoncues, mund të jesh nga një parti tjetër, mund të jesh i lidhur me familjet më të mëdha e gjakatare ish-komuniste, mund të jesh akuzuar dikur për hajdut, për monstër, por, po të jesh në listë, të gjitha bien, fshihen, nuk janë më, sepse ti thjesht nuk mund t’i kesh, sepse ti thjesht nuk je person, sepse ke vetëm konture, je thjesht vetëm një siluetë; ti ke pranuar të jesh siluetë, sepse kështu të kanë dashur, sepse më shumë se ty, përgatitësit e listave duan vetë listën; lista nuk flet, nuk çohet në këmbë, nuk thotë që e ke gabim, nuk thotë që programi i partisë nuk po realizohet, përkundrazi, mosrealizimi i tij i intereson. Lista nuk thotë që pushteti nuk duhet të akumulohet, sepse, nëse ndodh kështu, shoqëria bie në autokratizëm, nuk thotë që pushteti duhet të decentralizohet, të shpërndahet, midis qytetarëve dhe jo siluetave që ata të kenë lirinë e mjaftueshme për ta përdorur fuqinë e pushtetit në dobi të vendit të tyre. Sepse ti, para së gjithash, ke pranuar të jesh siluetë, sepse e ke kuptuar më së fundi që vetëm kështu mund të bësh hajër, karrierë politike ose jo. Ke pranuar të mos jesh qytetar i lirë, që flet, që kundërshton, që konkurron; ke pranuar të mos jesh i ndershëm me veten dhe, akoma më keq, ke pranuar të mos i shërbesh vendit tënd, fatkeqësisht.
Listat klasifikohen megjithatë, sado të thata, të pashpirt të jenë. Ka lista për kandidatë për deputetë, ka lista për kryetarë rrethesh, ka lista për anëtarë strukturash partiake, ka edhe lista për ish-denoncuesit. Gjithsesi, klasifikimi edhe mund të thjeshtohet, mund të thuhet që kemi vetëm dy lloj listash: lista që të hapin dyert e një karriere politike dhe lista që t’i mbyllin ato, ta fshehin përfundimisht karrierën që ke pasur, siç ndodh me listën e ish-denoncuesve. Pavarësisht nga klasifikimi, të dy listat kanë një gjë esenciale të përbashkët: të marrësh pjesë në to duhet të jesh siluetë, pa gojë, pa veshë, mundësisht i qorruar. Listat mund të klasifikohen, por jo siluetat që janë në listë. Ata janë njësoj, në të shumtën e rasteve, fatkeqësisht.
. . .
Unë i kam parë njerëzit në të gjithë Shqipërinë, tek përloteshin, kur iu fliste Azem Hajdari. Ata ngrinin të thithur plotësisht nga gravitacioni i qenies së tij. Nuk ishte vetëm karizma, as energjia që çlironte Azemi kur fliste, por ishte frika e vrarë, liria individuale që kishte fituar, ishte, pra, ekzaktësisht e kundërta e siluetës, personaliteti i tij i thithte njerëzit. Ai kritikonte nga të gjitha anët, hynte deri në skutat më të errëta të totalitarizmit, krimeve të shërbimeve sekrete dhe jo-sekrete të tij, dhe akoma më shumë, vinte gishtin edhe në plagët e reja që po shfaqeshin në trupin e PD. Por gjithmonë i ndërgjegjshëm se vetëm kështu mund ta ndihmonte që të mos rrëzohej, se vetëm kështu mund të shëroheshin plagët e partisë që ai krijoi. Ai nuk e dinte se si do të transformohej më vonë PD, nga parti e lirisë, nga parti e burrave dhe grave të lira, në parti listash. Ai nuk kishte edhe si ta imagjinonte këtë ecje prapa, këtë humbje vlerash, ashtu sikundër nuk do të mund ta imagjinonte kurrë se do të vinte dita që personalitetet do të shndërroheshin në silueta dhe njerëzit e turmave që votonin me dy gishtat lart, vetëm në fletë votimi.
Pjesën më të madhe të karrierës Azemi e kaloi në luftë me kundërshtarët politikë të tij, që për hir të së vërtetës ishin në mënyrë të drejtpërdrejtë të mbeturit nga sistemi i mëparshëm komunist. Ashtu sikundër kam parë njerëzit e thjeshtë të përloteshin të ngrirë tek fliste Azemi, ashtu kam parë të tmerruar para tij njerëzit e nomenklaturës së kuqe, që pothuajse janë bërë sot zot të vendit, të zhveshur nga tmerri dhe frika e krimeve që kanë kryer dikur dhe nën çadrën e qeverisjes së djathtë. Por më e keqja, ajo që vërtet të vret shpirtërisht, është ajo pjesë e jetës së tij politike që ai e kaloi midis dy zjarreve: i goditur nga kundërshtarët dhe partia e tij njëkohësisht. Ishte një luftë e padrejtë, Azemi e fitoi në fund. E fitoi duke luftuar akoma më shumë kundërshtarët e tij dhe duke mos bërë luftë me PD, përkundrazi, duke mbrojtur vlerat mbi të cilat u krijua ajo.
Azem Hajdari duhet të përkujtohet jo në ditën e lindjes së tij, as në ditën e vdekjes, por në ditën e partisë të cilën ai themeloi. Jo vetëm për respekt, por për të dhënë sinjalin që PD ka nevojë sot më shumë se kurrë dhe më shumë se gjithçka tjetër për Azem Hajdarin, për themeluesin e saj; ka nevojë më shumë se kurrë të rikthejë kohën e tij në kujtesën që po fshihet me nxitim, jo thjesht për të kujtuar ngjarjet, jo për motive historike, por për shumë më tepër, për t’iu rikthyer edhe njëherë vlerave të asaj kohe, për motive morale. Për ta rithemeluar edhe njëherë vetveten, mbi të njëjtin piedestal moral e politik të vitit ‘90.