Berisha, urdhër për mbylljen e gazetës “TemA”
Antena brenda familjes
Më në fund Flamurit i sosi durimi. I kërkoi takim atij burrit dhe i kërkoi të merrej një vendim se si të mbyllej gazeta “TemA”.
- Nuk kam ndonjë ide, më thuaj ti, - i tha ai.
- Ta them unë, - tha. - Ata kanë marrë një sipërfaqe me kontratë për 20 vjet te Tipografia Ushtarake. Kanë montuar dhe shtypshkronjat dhe kanë çuar redaksinë. Kanë bërë dhe investime. Ka shkuar mbi gjysmë milioni euro shpenzime. Unë them t’ua prishim kontratën dhe t’i nxjerrim, siç kërcënuam këta të “Top Channel”-it para dy vjetësh.
- Shumë mirë, - i tha ai burri. - Shko lidhu me Ferdinand Ponin, se e zgjidh ai këtë punë.
Shkoi Flamuri te Poni. Hapën kontratën. Poni i shkretë lexonte dhe shante nga nëna.
- T’ëmën e paskam në rregull, t’ëmën dhe këtë në rregull, t’ëmën dhe këtë në rregull… A, e gjeta një pikë, - tha.
- Thuhet që kontrata prishet vetëm për arsye të sigurisë kombëtare. Ne duhet të themi se gazeta “TemA” prek sigurinë kombëtare.
Flamuri i gëzuar u nis tek ai burri. - Ka vetëm një pikë, - i tha. - Të themi që gazeta prek sigurinë kombëtare.
- Po si ta justifikojmë këtë? - i tha ai burri.
- E kemi gjetë, - tha. - Aty afër do bëhen kartat e identitetit. Ne mund të themi se ato rrezikohen prej gazetës “TemA” dhe mund ta mbyllim kompaninë. Ata kanë dy shtypshkronja. Vetëm për t’i lëvizur ato do gjashtë muaj. Pastaj shpenzimet. E sigurt që e kap qershorin deri në zgjedhje dhe nuk del.
- Shumë mirë, - tha ai burri, - të veprohet.
Një orë më pas Flamuri ishte në zyrën e ministrit Nishani. I shpjegoi situatën.
- Duhet ta shkatërrojmë atë doemos, - tha. - I kam çuar policinë ndërtimore t’i prishë shtëpinë e prindërve, s’ma ka zbatuar urdhrin, se demek e ka me leje. Kam dash t’i gjej me kë ka biznese, nuk po e gjej dot. Na mbetet vetëm t’i prishim gazetën dhe shtypshkronjën. Them t’ia mbyllim. Ai burri është dakord.
Bujari i shkretë, i cili është i sëmurë në shtëpi pas operacionit, i kërkoi t’ia binin shkresën në shtëpi. Ashtu bënë. E firmosi më datën dhjetë dhjetor dhe e nisi te Ministria e Ekonomisë, e cila ka lidhur kontratën.
Nëpunësit që kishin lidhur kontratën, u tronditën shumë nga kërkesa, por urdhri është që të prishet menjëherë.
- Po mund të na akuzojnë se ia bëjmë politikisht, - tha ai
- Hajt mo, le të thonë si të duan. Atë që na ka bërë ne ai, nuk ia falim. Ka sharë gjyshen e Lul Bashës, dhe gjithë gjyshet tona, na ka fyer Fazlliçin, na ka fyer Rrahmanin… Nuk ia falim sa të jemi gjallë.
Pasi u sigurua, mori në telefon atë burrin.
- Gjithçka në rregull, - tha. - Bujar Nishani e firmosi. Tani duhet dhe një firmë dhe fusim buldozerët. Le të ankohet ku të dojë. Nuk ia falim kurrë këtë që ka bërë.
- Flamur, nuk kemi punë me atë personalisht, por me sigurinë kombëtare. Mos e harro këtë fjalë. Mos e merr si personale. E kam menduar gjatë. Ai mund të na hedhë në erë vendin ku bëhen kartat e identitetit dhe na dështon procesi zgjedhor. Nuk e lejoj këtë kurrë. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër. Të vazhdojë puna.