E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikimi i patentave, “Targat Ekspres” çojnë 11 persona në prangat e policisë

Nga Bledar Lumani

Korrupsioni me patentat ka çuar dje në prangat e policisë 11 persona, 4 prej të cilëve zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në prangat e policisë ka përfunduar edhe një oficer i policisë, si dhe 6 persona të tjerë. Operacioni për prangosjen e të dyshuarve, i koduar me emrin “Targat Ekspres”, është kryer nga policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Task Forcën në prokurorinë e Tiranës. Këta të fundit kishin rënë prej disa kohësh në gjurmët e të dyshuarve, të cilët akuzohen se kanë pajisur me patenta persona që nuk plotësonin kriteret.

Arrestimet

Disa muaj hetime nga ana e Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës, kryer në bashkëpunim me Task Forcën në prokurorinë e kryeqytetit, janë finalizuar ditën e djeshme me arrestimin e 11 personave. Arrestimi i të dyshuarve është kryer gjatë operacionit të koduar me emrin “Targat Ekspres”. Këta të fundit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar gjatë pajisjes ma patenta të personave të ndryshëm, të cilët nuk plotësonin kriteret e duhura. Të prangosurit e këtij operacioni janë Ylli Hasani, 41 vjeç, me detyrë komisioner për dhënien e lejeve të drejtimit të mjeteve pranë DRSHTRR, Vladimir Dervishi, 58 vjeç, me detyrë instruktor dhe bashkëpronar i autoshkollës “Majestik”. Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua edhe Silvana Memia, 42 vjeçe, me detyrë arshiviste pranë DRSHTRR, Tiranë, Besjana Belli, 27 vjeçe, me detyrë sekretare e sektorit të regjistrimit të mjeteve në DRSHTRR, si dhe Feride Kateshi, 38 vjeçe, punonjëse e agjencisë së sigurimeve “Atlantik” pranë DRSHTRR, Tiranë. Tre të prangosurit e këtij operacioni janë Daniel Cami, 38 vjeç, me detyrë pranues dokumentesh në qendrën e kontrollit teknik të mjeteve pranë DRSHTRR, Tiranë, Adrian Rushiti, 35 vjeç, i cili siguronte dokumente të falsifikuara personave të mësipërm kundrejt ryshfeteve, si dhe Pëllumb Mancila, 46 vjeç, punonjës policie, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin 4, Tiranë. Sipas burimeve të policisë, pas hetimeve disamujore u vërtetua se këta shtetas abuzonin me detyrën dhe pajisnin me patenta persona që nuk plotësonin kriteret. Lëshimi i patentave mësohet se bëhej kundrejt një shume të madhe parash. Sakaq, gjatë momentit të arrestimit, policia ka kontrolluar Zyrat e Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor, si dhe banesat e personave të prangosur. Mësohet se gjatë kontrollit të tyre, uniformat blu të policisë kanë sekuestruar një sërë dokumentesh, të cilat vërtetojnë akuzat ndaj të pandehurve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›