E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuze e re, “shkelje e barazisë para ligjit“ për ish-kreun e pronave të Durrrësit

08/04/2005  Vazhdon gjykimi i skandalit të tokave

DURRËS - Hila ka shkelur barazinë e njerëzve para ligjit. Ky konkluzion shtesë është bërë i ditur dje në seancën e radhës gjyqësore, nga ana e përfaqësuesit të organit të akuzës.

Ish-kryetari i komisionit dhe kthimit të pronave në Durrës për vitet 2000-2001, Vasil Hila, i cili mbahet në burg që prej një viti, do të duhet të japë shpjegime para trupit gjykues edhe për procedurat e ndjekura në përzgjedhjen e marrjes së vendimeve dhe konkretisht për mënyrën se si ai ka bërë seleksionimin e kërkesave. Nga deklarimet e prokurorit të çështjes është bërë e ditur se Hila ka bërë një trajtim preferencial që e implikon në shfrytëzimin e detyrës ish-kreun e komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave në Durrës.

Sipas prokurorit, mësohet se janë 800 aplikime të bëra nga shtetasit për përiudhën kur Hila akuzohet se ka shpërdoruar detyrën si dhe për akuzën e masakrës së bërë në zonën turistike. Ndërsa dosjet e tyre janë arkivuar në komision vendimi ka dalë vetëm për 200 kërkesa të konsideruara si të përfshira jashtë radhe në shqyrtimin dhe nxjerrjen e vendimit përkatës.

Ndonëse prokurori nuk ka dhënë emrat përkatës të përfituesve, akuza e ka cilësuar veprimin si shkelje të barazisë së shtetasve para ligjit.

Nga deklarimet e bëra në mbrojtje të akuzës së ngritur, prokurori Ferdinand Elezi ka arritur në konkluzionin se Hila, nisur nga funksioni që ka pasur, ka përzgjedhur praktikat, duke lënë jashtë shqyrtimit shumë dosje, që ishin depozituar shumë kohë më parë sesa përfituesit, ndërkohë që këta të fundit kanë mundur të marrin gjithçka të kërkuar në kthim e kompensim prone të trashëguar. Kryeprokurori i Durrësit, Ferdinand Elezi, ka ripërsëritur dje kërkesën që seancat gjyqësore të zhvillohen pa ndërprerje.

Dje para gjyqtarit Ndue Gjura kanë dhënë shpjegimet e tyre tre inspektorët e KLSH, të akuzar për shpërdorim detyre si dhe sekretarja e komisionit, Anila Rrapi, të cilët gjykohen në gjendje të lirë.

Kjo është e para seancë që Rrapi paraqitet para trupit gjykues pasi në të gjitha senacat e tjera ka qenë avokati i saj që ka mbrojtur sekretaren e komisionit edhe kjo e akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Para trupit gjykues, Rrapi ka thënë se nuk kishte dijeni për falsifikimet, duke deklaruar se vula, të cilën e mbante për shumë kohë, i është hequr me urdhër të Hilës dhe se kryetari i komisonit e ka mbajtur vet vulën deri në dorëzimin e detyrës.

Në një seancë të para disa javëve, në këtë gjykim deklaruan pozicioniet e tyre dhe mënyrën e letërkëmbimeve në rrugë insititucionale kryetari i Bashkisë, Miri Hoti, përgjegjësi i Hipotekës, Alush Xhihani dhe prefekti i Durrësit, Gëzim Agasi të gjithë në funksione drejtuese në kohën për të cilën akuzohet Hila.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›