E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 100 koli të tjera cigaresh kontrabandë

08/04/2005  Dyshimet, ngarkesa porosi e të njëjtit person

Pranë magazinës së pronarit të anijes “Eni“

bllokohen 100 koli të tjera cigaresh kontrabandë

DURRËS - Policia e Durrësit ka sekuestruar një sasi tjetër cigaresh të futur kontrabandë. Cigaret e bllokuara dje, besohet se mund të jenë pronë e të njëjtit pronar, të cilit disa ditë më parë iu bllokuan një sasi e konsiderueshme kolish. Dyshimet e policisë arrijnë në këtë pikë, sepse sasia e dytë u gjet brenda rrethimit të magazinave, ku edhe u gjet e bllokuar sasia e para disa ditëve të cigareve.

Cigaret

Cigaret e srehuara në një vend të braktisur janë gjetur rastësisht nga policia, e cila nuk ka dhënë hollësi rreth mënyrës se si është bërë e mundur të zbulohen kolitë me cigare.

Nga deklarimet e para mësohet se janë 100 koli cigare të markave të ndryshme, por grupi hetimor i strukturave të antikrimit ekonomik ka pohuar se mund të jenë më shumë sesa sasia e deklaruar.

Policia ka deklaruar se 100 kolitë e sekuestruara janë gjetur në një kabinë të boshatisur, e cila për shkak të daljes jashtë funksioni ishte prej viteve e papërdorshme. Uniformat blu, që kanë mbajtur nën mbikëqyrje magazinën e Zotaj, ku janë bllokuar cigaret e sekuestruara dhe fakti se ata kanë parë lëvizje të dyshimta, ka shtyrë policinë të vëzhgojnë zonën. Duke qenë se kabina elektrike ka qenë brenda rrethimit, pronarët e mallit nuk kanë mundur të nxjerrin jashtë cigaret e fshehura. Pas kontrollit policia ka vërejtur se kabina elektrike ishte e mbushur plotë me cigare. Për këtë arsye është vënë në dijeni edhe Ministria e Rendit dhe hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Dyshimet

Cigaret e gjetura në një kabinë elektrike në Shkozet dhe policia ka hedhur dyshimet se ka shumë mundësi që cigaret të jenë të të njëjtit pronar që ka futur porositësi i 7188 kolive të sekuestruara më 30 mars. Fakti që kolitë me afro 50 mijë paketa është gjetur brenda rrethimit të magazinës së Fatmir Zotaj ka hedhur versionin se me anijen “Eni” mund të jenë transportuar më shumë cigare kontrabandë sesa sasia e sekuestruar.

Disa ditë më parë, 3.5 milionë paketat e sekuestruara, të shkarkuara natën dhe të padeklaruara kanë vënë para togave të zeza 18 persona. Policia pas urdhërarrestit të lëshuar nga prokuroria u ka vënë prangat 6 marinarëve të anijes “Eni”, agjentit detar të firmës së Zotaj, tre inspektorëve të antikontrabandës së detit dhe kapitenerisë si dhe ka lënë në burg në mungesë edhe pronarin e anijes.

Ndërkohë policia gjyqësore, pas hetimeve, ka shtuar numrin e të implikuarve, duke bërë që në gjendje të lirë për kontrabandën e cigareve të ndiqen edhe katër efektiva të policisë, si dhe tre inspektorë nga kapiteneria dhe antikontrabanda e degës së doganës Durrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›